Shtetasi malazez Mersid K., 32 vjeç, u urdhërua të mbahet në paraburgim për shtatë ditë në Poloni me propozim të prokurorisë, për shkak të rrezikut që mund të ndikonte në procedurat e ekstradimit drejt Lituanisë.
Ai dyshohet se ka mbledhur informacion të ndjeshëm për shërbimet kineze në Lituani gjatë tre viteve të fundit.
Mersid K. u arrestua më 21 shkurt në Aeroportin Ndërkombëtar të Varshavës, pasi kishte zbritur nga një fluturim nga Stambolli.
Arrestimi u bë bazuar në një urdhër arresti evropian të lëshuar nga autoritetet lituaneze, për të siguruar praninë e tij në procedurat gjyqësore që po zhvillohen ndaj tij për spiunazh dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, njoftoi Zyra e Prokurorit të Qarkut në Varshavë.
Autoritetet lituaneze dyshojnë se Mersid K., duke vepruar sipas udhëzimeve të Republikës Popullore të Kinës, ka mbledhur informacione nga territori i Lituanisë që kanë interes për shërbimet e inteligjencës kineze dhe tajvaneze.
Sipas Kodit Penal të Lituanisë, veprat për të cilat dyshohet ai dënohen me burgim nga gjashtë deri në 15 vjet, ekuivalente me nenin 130, paragrafi 1 të Kodit Penal të Polonisë.
Prokuroria polake theksoi se paraburgimi shtatëditor është vendosur për të parandaluar rrezikun e arratisjes, duke pasur parasysh se i dyshuari nuk ka vendbanim të përhershëm në Poloni.
Gjykata pranoi kërkesën për paraburgim si masë parandaluese për të siguruar procedurat e ekstradimit sipas Urdhërit Evropian të Arrestit.
Sipas mediave polake, dyshimet ndaj Mersid K. lidhen me mbledhje të paligjshme të informacionit për shërbimet kineze në Lituani që nga shkurti i vitit 2023.
Marrëdhëniet midis Lituanisë dhe Kinës janë tensionuar që nga viti 2021, pas hapjes së një zyre përfaqësuese të Tajvanit në Vilnius, duke çuar në një qëndrim më të ashpër të Lituanisë ndaj Pekinit dhe kundërshtimin e tranzitit të mallrave kineze përmes territorit të saj. /The Geopost








