Pandemisë Covid-19 i është gjetur ilaçi dhe gjasat janë të përfundojë shpejt. Por është e vështirë, thuajse e pamundur të gjendet një ”vaksinë” kundër injorancës, jokompetencës e papërgjegjësisë.
Imer Mushkolaj
Nuk gaboj po që se them se të paktën pesë-gjashtë herë gjatë vitit 2021 e kam gjetur në ashensor nga një qese mbeturina. Pra, dikush që ka zbritur para meje për të shkuar në punë ose diku tjetër, ka përtuar që bërllogun ta gjuajë në kontenjer dhe e ka lëshuar në ashensor. E kontenjerët janë të vendosur pesë-gjashtë metra larg hyrjes së ndërtesës. Në të dytin vit të pllakosur nga pandemia e coronavirusit, ndonjë fqi imi ka zgjedhur t’iu “ndihmojë” banorëve në këtë mënyrë.
Me logjikën e tij ose të saj, ai ose ajo nuk ka bërë kurrfarë dëmi. Thjesht, e ka lënë bërllogun në ashensor. Çka ka të keqe? Kryesorja e ka nxjerrë jashtë pragut të banesës ku jeton. Sigurisht, nuk mund ta kuptoj këdoqoftë që vepron kështu, por ky veprim duket e keqja më e vogël krahasuar me injorancën dhe papërgjegjësinë e të tjerëve, atyre që marrin vendime për jetët tona dhe të të tjerëve që tumirin gjithçka që vjen nga individë të caktuar.
Se në çfarë niveli qëndrojmë me vetëdijen dhe injorancën tonë mjafton t’iu hedhim një sy rrjeteve sociale, përkatësisht konsumuesve të përmbajtjeve që publikohen në to. Poshtërsira e idiotizma të të gjitha llojeve, me tonelata, vërshojnë çdo ditë hapësirën online, që në një situatë normale do të duhej të shërbente si një lloj platforme debati për çështje të ndryshme.
Përderisa fjala “vaksinë” ishte më e përdorura gjatë vitit në të gjithë botën, nuk janë të paktë ata që propaganduan kundër marrjes së saj. Jo pse kishin ndonjë arsye shkencore a që kishin lexuar çfarë thoshte e rekomandonte ndonjë shkencëtar i fushës, por ekskluzivisht duke iu besuar teorive konspirative dhe lajmeve nga burime të dyshimta. Pra, injoranca mbërriti kulmin, ashtu si dhe pandemia që mori qindra jetë njerëzish për dy muaj gjatë verës.
Një numër jo i vogël qytetarësh informohen çdo ditë nga burime të paverifikuara, konsumojnë lajme të rrejshme e gjysmë të vërteta, pa e vrarë mendjen se në këtë mënyrë po e ushqejnë veten me bërllog. Me bërllog, si ai i fqinjve të mi i hedhur në ashensor.
* * *
Është thënë e stërthënë se mënyra se si sillet e si edukohet njeriu nis që në fëmijëri, në familje, për të vazhduar më pas në shkollë. Mund të jetë e dhimbshme të pranohet, por pikërisht shkolla po del të jetë problem në këtë aspekt. Mjafton veç të sillen ndërmend lajmet çfarë ka ndodhur në shkollat gjithandej vendit përgjatë një viti dhe jo vetëm, për të arritur në një përfundim aspak shpresëdhënës për gjenerata të tëra të rinjsh që shkollohen në to. Mund të jetë e dhimbshme të pranohet, po ashtu, por në sistemin shkollor, fillorin në këtë rast, ka sa të duash jokompetencë e injorancë, që gjen po ashtu me bollëk dhe në tekste shkollore. Një sistem i tillë edukimi prodhon gjenerata e gjenerata, të cilat vazhdojnë të funksionojnë nën presionin shoqëror dhe brenda një kornize të përcaktuar gabimisht, por që duket normale.
E për normalitet funksionimi është vështirë të flitet në Kosovë, pothuajse në çdo fushë. Që nga mënyra se si është qeverisur, se si funksionojnë arsimi e shëndetësia, sporti e kultura, deri te ndjeshmëria për fenomene e ngjarje të ndryshme. Modeli i keq i njerëzve që kanë udhëhequr duket të jetë shartuar në nivelet më të ulëta, duke bërë që të kthehet në normalitet gjithçka që nuk do të duhej të ishte e tillë - që nga hajnia e keqpërdorimet, deri te arroganca e mungesa e llogaridhënies.
* * *
Bërllogu në ashensor i ndonjërit nga fqinjtë e mi nuk dallon shumë nga bërllogu në rrjetet sociale, madje ai online kundërmon më shumë. Papërgjegjësia e tyre nuk dallon as nga ajo e qeveritarëve, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë publikë. Nuk dallon as nga qasja e shumicës dërmuese të atyre që kanë kultivuar e vazhdojnë të kultivojnë këtë mënyrë jetese, duke e shndërruar në rregull e jo duke e lënë përjashtim.
Nevojitet angazhim, shumë angazhim për të ndryshuar sadopak në të mirë. Mbase që nga edukimi se bërllogu nuk duhet lënë në ashensor, se rrjetet sociale nuk janë plaforma për shfryrje mellfi, sharje, fyerje e linçim, se shkolla është institucion që duhet të edukojë e arsimojë, se vendi i punës duhet respektuar dhe puna duhet kryer ashtu si duhet, se arroganca prodhon arrogancë, se qeverisja - përveç që është privilegj - në radhë të parë është përgjegjësi e llogaridhënie, se shteti nuk janë institucionet por jemi ne, qytetarët dhe se pushteti e shteti janë dy gjëra të ndryshme dhe nuk duhet të përzihen. Deri atëherë mbetet të shpresojmë për sa më pak bërllog - jo vetëm nëpër ashensorë.








