Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, është duke dëshmuar në Senatin amerikan për kapjen e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Senatori republikan James Risch e pyeti Rubion se si qeveria amerikane negocioi me palët në Venezuelë që do të kontrollonin vendin pas kapjes së Maduros, raporton BBC, transmeton Gazeta Express.
Rubio thotë se operacioni kërkonte planifikim dhe eliminimin e "çdo gjëje që përbënte kërcënim për forcat" që hynin në Venezuelë.
Ai thotë se u bënë përpjekje të shumta për ta detyruar Maduron të largohej vullnetarisht nga vendi, duke shtuar se "nuk mund të bësh një marrëveshje me këtë njeri".
"Ai ka thyer kaq shumë marrëveshje, sa as Vatikani nuk ka qenë i gatshëm të bashkëveprojë me Maduron në të kaluarën... ai thjesht nuk është një njeri me të cilin mund të bësh një marrëveshje”.
Rubio shton se kjo është hera e parë në 20 vjet që SHBA-të po zhvillojnë "bisedime serioze kundër narkotikëve me autoritetet venezueliane" dhe gjithashtu flasin për eliminimin e pranisë iraniane, kineze dhe ruse në vend.








