Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është deklaruar lidhur me iniciativën e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për mini-shengenin. Ai ka thënë se i ka penguar mosprania e flamurit të Kosovës në Ohër edhe pse ishte e ftuar në samit
Zëvendëskryeministri Osmani është shprehur mbrëmë në emisionin Open në Top Channel se i ka penguar që në Samitin e Ohrit ka munguar flamuri i Kosovës, shkruan Gazeta Express.
“Sa i takon shtetformësisë së Kosovës, më pengoi që në Ohër mungonte flamuri i Kosovës pranë flamurit të Serbisë, Shqipërisë dhe vendeve tjera”, u shpreh Osmani.
Ai tutje tha se nuk ka kuptim që iniciativa e mini-shengenit të vazhdojë pa pjesëmarrjen e Kosovës.
“Jo, absolutisht jo, nuk ka kuptim iniciativa pa Kosovën, por prandaj them që është iniciativë në përpjekje e sipër që kërkon shpjegime të mëtutjeshme të vazhdojë iniciativa derisa të kuptohen të gjitha aspektet”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se në Samitin e Ohrit si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kanë pasur katër parakushte që mini-shengeni të jetë i pranueshëm.
“Si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kemi kërkuar katër parakushte për të qenë kjo iniciativë e pranueshme, të jenë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pastaj në tavolinë të jetë prezent përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, të ketë mbështetje zyrtare nga ShBA-ja dhe iniciativa të bëhet pjesë e iniciativave evropiane rajonale. Tri nga këto u realizuan në Ohër, u ftua Kosova, Mali i zi dhe Bosnja e Hercegovina, ishte përfaqësuesja e Komisionit Evropian dhe kishim një thirrje zyrtare të Matthew Palmer në mbështetje të iniciativës”, tha Osmani. /GazetaExpress/








