Një gjykatë anti-terroriste në Pakistan e dënoi me vdekje një ish-profesor universitar për shkak të akuzave për blasfemi.
Në vitin 2013, atëherë profesori Junaid Hafeez ishte akuzuar nga studentët e tij në universitet se ka bërë postime blasfemike në Facebook. Fyerja e profetit Muhamed në Pakistanin me popullsi 95 për qind myslimane është vepër penale që dënohet me vdekje.
Avokatët e tij thanë se klienti i tyre është bërë viktimë e studentëve nga një parti ekstreme islamike për shkak të qëndrimeve liberale dhe sekulare.
“Ai do të varet me litar në fyt deri në vdekje”, thuhet në urdhrin e gjykatës.
Avokati i tij, Asad Jamal, tha se do të paraqesë ankesë ndaj këtij vendimi në një gjykatë më të lartë.
“Nuk mund të ketë gjykim të drejtë për blasfeminë në Pakistan. Ne e kemi një sistem pa kurriz. Askush nuk mund t’iu bëjë ballë akuzave për blasfemi”, tha ai.
Ndryshe, gjykimi kundër këtij personi u mbajt në një burg në qytetin qendror pakistanez, Multan, nën masa të rrepta sigurie për shkak të kërcënimeve ndaj familjes së personit të akuzuar dhe avokatit të tij, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.








