Partia e udhëhequr nga Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës, për akuzat që ajo ka bërë se LV-ja kishte krijuar dhe frymëzuar organizatën ‘Syri i Popullit’, raporton Gazeta Express.
Në një përgjigje për Gazetën Express LV-ja ka deklaruar se Partia Demokratike duhet të distancohet fillimisht nga deklaratat e rreme që ka dhënë nën betim kreu i kësaj partie, Kadri Veseli, dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“PDK duhet të distancohet nga deklaratat e rreme në betim të kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi të cilit kishin deklaruar në Gjykatë se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë pjesë e organizatës "Syri i Popullit", për të cilat deklarata është bërë edhe kallëzim penal.
Para se të formulojnë komunikata shpifëse dhe tendencioze PDK duhet të jep përgjegjësi për deklaratat e zyrtarëve të saj të cilat ishin përpjekje e dështuar për ta akuzuar Lëvizjen si organizatë terroriste”, ka deklaruar zyra për media e Vetëvendosjes.
Partia Demokratike e Kosovës sot përmes një komunikate për media ka akuzuar Vetëvendosjen se ka krijuar dhe frymëzuar organizatën Syri i Popullit.
PDK-ja ka thënë se VV-ja duhet të distancohet nga organizata “Syri i Popullit”.
“Partia Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët politikë. PDK-ja kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”, thuhet në komunikatë.
Tutje, PDK-ja thotë se me dënimin e anëtarëve të “Syrit të Popullit”, të cilët i ka quajtur grup të terroristëve, institucionet e Kosovës janë dëshmuar profesionalizëm.
“Institucionet e Kosovës dëshmuan edhe njëherë fuqinë dhe profesionalizmin për të parandaluar, kapur dhe dënuar një grup të terroristëve të cilët kishin ndërmarrë një tentim vrasje dhe po planifikonin të vrisnin kundërshtarët politikë ku në listat e tyre të ekzekutimit figuronin udhëheqës shtetërorë, figura të partive politike dhe personalitete publike”, thekson komunikata. /GazetaExpress/








