Inteligjenca artificiale po i ndihmon personat e verbër të kenë qasje në reagime vizuale rreth trupit të tyre, ndonjëherë për herë të parë – por pasojat emocionale dhe psikologjike sapo kanë filluar të shfaqen, shkruan BBC.
“Gjatë gjithë jetës sonë, personat e verbër janë dashur të përballen me idenë se ta shohësh veten është e pamundur, se ne jemi të bukur nga brenda, dhe se gjëja e parë që gjykojmë te një person është zëri i tij, por e dimë se nuk do të mund ta shohim kurrë”, thotë Lucy Edwards, një krijuese përmbajtjeje e verbër që u bë e njohur, pjesërisht, duke treguar pasionin e saj për bukurinë dhe stilimin dhe duke i mësuar personat e verbër se si të bëjnë grimin. “Papritur kemi qasje në gjithë këtë informacion për veten tonë, për botën; kjo na e ndryshon jetën”.
Inteligjenca artificiale po u mundëson personave të verbër qasje në një botë informacioni që më parë na ishte mohuar.
Përmes njohjes së imazheve dhe përpunimit inteligjent, aplikacione ofrojnë informacion të detajuar jo vetëm për botën ku jetojnë, por edhe për veten e tyre dhe vendin në të.
Kjo teknologji bën më shumë sesa thjesht përshkrimin e skenës në një imazh – ajo ofron reagime kritike, krahasime dhe madje edhe këshilla. Dhe po ndryshon mënyrën se si personat e verbër që i përdorin këto aplikacione e shohin veten.








