Pavarësisht kritikave për shkak të zjarreve në natyrë dhe kostos së madhe financiare, fishekzjarrët shumëngjyrësh do ta ndriçojnë qiellin e Sydney-t edhe këtë fundvit.
Shërbimi i zjarrfikësve në rajonin New South Wales e bëri një përjashtim nga ndalimi i zjarreve për autoritetet lokale, pavarësisht rrezikut për përhapjen e zjarreve dhe shpërthimit të zjarreve të reja.
Organizatorët e hedhjes së fishekzjarrëve u përballën me kërkesa dhe thirrje për anulimin e festimeve dhe dhurimin e të hollave për zjarrfikësit dhe fermerët që kanë pësuar nga zjarret e mëdha në natyrë.
Më shumë se 270 mijë persona e kanë nënshkruar peticionin për anulimin e festimeve me fishekzjarrë. Organizatorët e këtij peticioni thanë se autoritetet lokale vitin e kaluar i kanë shpenzuar 5.8 milionë dollarë australianë vetëm për fishekzjarrë.
Sidoqoftë, duket se vullneti i këtyre qytetarëve nuk është marrë parasysh. Qindra mijëra njerëz pritet të tubohen në mesnatën mes 31 dhjetorit e 1 janarit për ta parë shpërthimin e fishekzjarrëve në qiellin e qytetit të famshëm australian, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








