Ylli i Marseille, Dimitri Payet, i ka reaguar me tallje presidentit të Lyonit, Jean-Michel Aulas, i cili tha se duhet të harrohet i gjithë sezoni i Ligue 1 pas ndeshjeve të fundit të suspenduara shkaku i koronavirusit.
Ngjashëm me ligat e tjera të mëdha të Evropës, edhe liga elitare e futbollit në Francë është ndalur përkohësisht, deri kur të thuhet se është e sigurt të rinisin ndeshjet e futbollit, transmeton Gazeta Express.
Aulas, Lyoni i së cilit është duke e përjetuar një sezon të dobët në Ligue 1, duke u radhitur në pozitën e shtatë në tabelë, të premten tha se i gjithë sezoni i Ligue 1 duhet të harrohet dhe të mos rinisë më.
“Gjëja më logjike është të ndalim gjithçka dhe t’i kthehemi futbollit nga e para sezonin e ardhshëm. Megjithatë, duhet ta shohim se si janë rregullat. Por, ky është vendimi i vetëm i mundshëm në këtë kontekst”, kishte thënë Aulas.
Ndërkohë, Payet, ekipi i së cilit është në pozitën e dytë në tabelë, e ka kundërshtuar me tallje propozimin e Aulas.
“A e ka ai seriozisht? Ai është i çmendur! Shpejt, duhet ta shihni a ka ai temperaturë! Si është radhitja aktuale në tabelë? Pas 28 ndeshjeve? Ah... në rregull, tani e kuptoj. Tentim i mirë”, shkroi Payet. /Gazeta Express/








