Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e Këshillit drejtues. Këtë e ka konfirmuar deputetja Blerta Kodra Deliu për Gazetën Express. Në këtë mbledhje, PDK’ja zgjedhi kryesinë e saj të re.
Gazeta Express mëson nga burimet e veta se kryesia e re e PDK’së përbëhet nga 27 anëtarë. Në mesin e tyre janë deputetja Eliza Hoxha, Mixhen Kelmendi e Sami Lushtaku.
Disa nga anëtarët e PDK’së kundërshtuan anëtarët e kryesisë me votën e tyre kundër, të tjerë kanë abstenuar.
Gjatë ditëve në vazhdim, Partia Demokratike e Kosovës pritet të zgjedhë edhe nënkryetarët e saj, e gjithashtu edhe sekretarin.
Anëtarët e kryesisë së PDK’së janë zgjedhur gjashtë muaj pasi Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i partisë.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë për Express se në këtë takim mund të flitet edhe tema emërimit të udhëheqjes tjetër të partisë dhe tema të tjera.
“Ne zakonisht i mbajmë për fundvit gjithmonë takimet e Këshillit Drejtues. Është një prej mbledhjeve ku do të diskutohet edhe aktualiteti politik, por nuk është e sigurt nëse do të zgjedhet sot kryesia ose jo. Nuk e kemi ende të definuar nëse do të arrihet të përmbyllës sot ose jo”, ka thënë Deliu-Kodra për Express.
PDK prej pasluftës ka qenë në pushtet në shumicën e kohës, përjashtim vitet 2004-2007, kur bashkëqeversnin LDK me AAK’në.
Kjo parti ka pasur katër herë pozitën e Kryeministrit, tri herë Hashim Thaçi përfshirë Qeverinë e Përkohshme dhe një herë Bajram Rexhepi.
Kadri Veseli, ish-Shef i SHIK’ut, ka marrë pozitën e Shefit të PDK’së më 2016 kur themeluesi i Partisë u ngjit në pozitën më të lartë shtetërore.
Aktualisht është partia e tretë pas Vetëvendosjes dhe LDK’së. Në ditën e zgjedhjeve, Veseli tha se shkojnë në opozitë pasi kanë humbur zgjedhjet.
VV dhe LDK kauzë zgjedhore e kanë pasur ta çojnë në opozitë PDK’në dhe kanë thënë se s’bëjnë koalicion me këtë parti.
PDK edhe në nivel lokal është partia e tretë sa i përket udhëheqjes së komunave. Drejton Drenasin, Kaçanikun, Shtimen, Ferizajn, Dragashin.
PDK është themeluar pas përfundimit të luftës ndërsa themeluesit kryesorë ishin edhe udhëheqës të luftës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së.
Një pjesë e madhe e udhëheqjes aktuale dhe ish-prijës të kësaj partie janë ftuar në cilësi të të dyshuarve nga Gjykata Speciale në mesin e të cilëve edhe Kadri Veseli, Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Azem Syla etj.








