Alexandr Hleb, ish-futbollisti i Barcelonës, ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë në moshën 38-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere 22-vjeçare. Ai e kujton kohën dhe dështimin për të shndritur në një ekip të udhëhequr nga Pep Guardiola.
Hleb ishte yll shndritësh në skuadrën e Stuttgart, e udhëhequr nga Felix Magath dhe në Arsenalin e Arsene Wenger, por dështoi ta përsërisë të njëjtën në Barcelonë, raporton Gazeta Express.
“Kam pasur një karrierë të madhe. I bëra dy gabime, por kam kujtime të mira nga të gjitha klubet për të cilat kam luajtur”, tha Hleb.
“Tani jam i lodhur. Trupi im nuk e merr veten siç bënte dikur, por unë e dua futbollin. Sapo ta shoh një ndeshje në televizion, menjëherë e ndiej mungesën e futbollit”, shtoi Hleb.
Pasi shkëlqeu në Arsenal për tri sezone, Barcelona vendosi ta blejë bjellorusin për 17 milionë euro në vitin 2008.

Guardiola e mori drejtimin e skuadrës atë verë dhe u duk se Hleb do ta formonte një treshe të frikshme me Lionel Messin dhe Thierry Henry, por nuk qe e shkruar.
“Ishte plotësisht faji im (për dështimin në Barcelonë) dhe jo i Guardiolës”, theksoi Hleb.
“Ai bëri gjithçka për të më ndihmuar të mësohem shpejt me jetën në Spanjë dhe me grupin, si dhe ta mësoj gjuhën. Unë u solla si budalla. Grupi ishte shumë i mirë. Pendohem që nuk mësova të flas spanjisht”, zbuloi ai. /Gazeta Express/








