Portieri i Barcelonës, Marc-André ter Stegen, është rikthyer në stërvitje pas operacionit në shpinë këtë verë.
Së shpejti, gardiani gjerman do të jetë në gjendje të konkurrojë me Joan Garcian për vendin e titullarit, pasi iu mohua kjo mundësi gjatë fazës përgatitore.
33-vjeçari ka qenë i qartë se dëshiron të qëndrojë te Barcelona, pavarësisht se mendimi i përgjithshëm është se Garcia do të mbetet portieri i parë edhe pasi ter Stegen të jetë rikuperuar plotësisht.
Me trajnerin e Gjermanisë, Julian Nagelsmann, që ka deklaruar publikisht se ter Stegen ka nevojë për minuta në fushë për Kupën e Botës, kjo e vendos portierin veteran në një situatë të ndërlikuar.
Nëse Garcia mbetet vërtet zgjedhja e parë e Hansi Flick, atëherë ter Stegen mund të ketë nevojë të largohet për të siguruar minuta, me një huazim të mundshëm që po përflitet.
“RadioMarca” raporton se kampi i ter Stegen po punon për opsione të mundshme largimi në janar.
Edhe pse pranohet se vetë ter Stegen nuk ka shprehur dëshirë të largohet, informacioni është se, nëse vendos ta bëjë, do të ketë mundësi.
Sigurisht, është brenda detyrës së çdo agjenti të paraqesë sa më shumë opsione dhe të testojë tregun për klientin e tij, por duke parë situatën e ter Stegen, kjo është veçanërisht e rëndësishme.
Pengesa kryesore në këtë çështje janë pagat e tij. Duke fituar rreth 10 milionë euro neto në vit, Barcelona mund të detyrohet të mbulojë një pjesë të rrogës së tij që marrëveshja të realizohet.
Megjithatë, të enjten, Drejtori i Futbollit te Barcelona, Deco, e mbylli këtë skenar, duke deklaruar se nuk do të ketë largime të asnjë lloji në merkaton e dimrit.
Ai dukej i bindur se ter Stegen është i përqendruar tek rikuperimi dhe konkurrimi për vendin e titullarit mbi të gjitha./GazetaExpress/








