Ambasada Gjermane në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Express, ka deklaruar se nuk është në dijeni që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u kanë dërguar ftesë të përbashkët për takim, shteteve të QUINT-it.
Të pyetur nga Gazeta Express për takimin që u tha se do të mbahet në Kuvend të Kosovës me kërkesë të LV-së dhe LDK-së, Ambasada e Gjermanisë ka deklaruar se gëzohen kur ka ftesa të tilla sikur kjo, mirëpo aktualisht shton se nuk janë në dijeni për një ftesë të tillë të përbashkët.
"Gëzohemi kur marrin ftesa nga partitë politike, aktualisht nuk jemi në dijeni për një ftesë të tillë të përbashkët", ka bërë me dije Ambasada Gjermane në vend.
Ndryshe, dje pas takimit LV – LDK që përfundoi edhe një herë pa marrëveshje, u bë e ditur se për t’i informuar lidhur me ecjen e bisedimeve të martën do të ftohen përfaqësues të QUINT-it dhe zyrës së BE-së në Kosovë.
Me gjasë dy partitë nuk u kanë dërguar ftesa me shkrim përfaqësuesve të këtyre shteteve.
Pas këtij njoftimi, vendet e QUINT-it dolën me një komunikatë të përbashkët ku u tha se nuk përkrahin ndonjë kandidat apo parti të veçantë për të formuar qeverinë duke e lënë të paqartë nëse një takim i tillë do të ndodhë.
“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, "Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë... përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, shkruhet në komunikatën e vendeve të QUINT-it, ku nuk bëhej e ditur nëse do të marrin pjesë në takimin e sotëm.
Ambasada Amerikane në Prishtinë, ndërkaq, e pyetur nga Gazeta Express nuk kanë komentuar nëse ambasadori Philip Kosnett shkon për t’u takuar me LV-në dhe LDK-në, derisa shton se nuk kanë çka të thonë më shumë se sa komunikata e lëshuar sot.
“Ambasada amerikane nuk ka çka të shtojë përveç asaj të shkruar në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it”, ka thënë Ambasada amerikane.
Takimi i ambasadorëve të QUINT-it në vend, zyrës së BE-së në Prishtinë dhe LV-së e LDK-së është paralajmëruar që të mbahet në orën 17:00 në Kuvend të Kosovës.
Zyra për media e Vetëvendosjes deklaroi se Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk e kanë bërë ftesën për ndërmjetësim, por, si lehtësues eventual. /GazetaExpress/








