U panë disa skena të shëmtuara këtë mbrëmje jashtë stadiumit “Marassi”, përpara ndeshjes Genoa – Inter, kur dy grupe tifozësh hodhën objekte ndaj njëri-tjetrit, sulmuan policinë dhe u vunë flakë disa automjete.

Sipas “Sky Sport Italia” dhe “Sportitalia”, përplasjet ndodhën më shumë se një orë para fillimit të ndeshjes, jashtë stadiumit.
Një grup ultrasish të Genoas hodhi objekte, përfshirë fishekzjarre, drejt disa tifozëve të “Nerazzurrëve” që po përgatiteshin të hynin në sektorin e tifozëve mysafirë.

Këta të fundit u kundërpërgjigjën duke tentuar të thyenin barrierën që i ndante, çka detyroi policinë të ndërhynte dhe situata u përshkallëzua.
Të paktën një makinë u vu në flakë, ndërsa disa tifozë u panë duke u përballur me efektet e gazit lotsjellës të përdorur nga autoritetet.
Pasi u rikthye qetësia, një makinë, disa motoçikleta dhe disa kosha mbeturinash mbetën të djegura plotësisht./GazetaExpress/








