Kultivimi i vlerave dhe ruajtja e traditës janë ndër virtytet më të larta të një populli. Janë pjesë e identitetit të krijuar ndër shekuj.
E tillë është edhe tradita e filigranit, përpunimi i të cilit, sidomos viteve të fundit, është shumë në rënie, raporto emisioni #gjesi në T7.
Arsyet janë nga më të ndryshmet dhe kështu, ka mbetur një grup i vogël artizanësh të cilët vazhdojnë këtë punë.
Një prej tyre është Bashkim Tejeci, mjeshtër i filigranit në Prizren. Ai zejen e filigranit nuk e ka të trashëguar nga familja, por merret me këtë punë që nga mosha 15-vjeçare.
Tejeci thotë se ka shumë argjendarë të filigranit nëpër botë dhe se po mundohen që këtë traditë ta ruajnë edhe në vendin tonë.
Kështu, ai bashkë me kolegët e tij kanë hapur një punëtori për të trajnuar të rinjtë për zanatin e kësaj zeje.
Punimet e filigranit kërkojnë saktësi absolute, pasi pos tjerash, kërkohet theksimi i detajeve./GazetaExpress/








