SH.K., i moshës 44-vjeçare ka mbetur dje i vdekur në Suharekë, saktësisht në fshatin Maqitevë. Viktima dyshohet se u vra nga S.A., i cili në momentin kur shtiu dhe e kreu krimin, ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Rasti ndodhi për motive të ulëta, për një koment në rrjete sociale
Policia e Kosovës ka konfirmuar sot përmes një njoftimi për media se mbrëmë rreth orës 22:00 në Suharekë ka ndodhur një gjuajtje me armë, ku ka vdekur një person.
Gazeta Metro mëson se viktima është SH.K., 44 vjeç, i cili kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë për të kaluar pushimet këtu.

Ai dyshohet se u vra nga S.A 40 vjeç, i cili ka qenë në ndikim të alkoolit dhe ka shtënë në drejtim të personit. Të dyshuarit i janë sekuestruar një pushkë gjysmë automatike, 2 fishekë dhe 2 gëzhoja.
Siç mëson Metro, deri te vrasja e rëndë dërguan motive të ulëta, më saktësisht një koment i viktimës në Facebook.
“Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe automjetit të personit të dyshimtë policia ka gjetur edhe armën e tipit pushkë gjysmautomatike me 2 fishekë dhe 2 gëzhoja me të cilën dyshohet se është kryer krimi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
S.A. është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, derisa rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente për të kuptuar rrethanat se si erdhi deri te vrasja.







