Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka përuruar qendrën e parë nacionale që trajton sulmin në tru, në Klinikën e rinovuar të Neurologjisë.
Investimi në këtë klinikë ka kushtuar rreth 200 mijë euro, kurse pajisjet 1.1 milion euro.
Ismaili tha se me hapjen e kësaj qendre po krijohen kushte që të shpëtohen qytetarët nga vdekja, paraliza dhe shpenzimet e larta financiare.
“Kemi një qendër e cila do të shpëtojë jetë dhe njëkohësisht do të shpëtojë edhe xhepin e pacientëve. Pas shërbimit 24 orësh për trajtimin e zemrës, si shkaktari kryesor i vdekjeve. Me hapjen e Qendrës së parë Nacionale në Kosovë për trajtimin e sulmeve në tru, po krijojmë kushte të trajtojmë edhe shkaktarin e dytë kryesor të vdekjeve në vend”, tha Ismaili.
Ai më tej ka shtuar se në pajisje dhe infrastrukturë e kësaj qendre mundësohet një reagim i shpejtë brenda 3 orëve.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu theksoi se në klinikën e përuruar do të kryhet trajtimi i infarktit të trurin me metoda moderne.
Ndwrkaq, drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Nexhmedin Shala, falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë për investimin në këtë klinikë.
Në Kosovë 1200 deri në 1300 pacientë shtrohen brenda një viti nga disa lloje të sulmit në tru.
Shkalla e vdekshmërisë prej sulmeve në tru është e madhe, mund të shkojë deri në 40 për qind. Në Kosovë vdesin rreth 500 persona në vit nga sulmet në tru.








