Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani po vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane pas formës së tij të shkëlqyer me Hoffenheim. Sipas TBR Football, tre skuadrat e Premierligës, Aston Villa, Chelsea dhe Tottenham kanë hyrë në garë për të nënshkruar sulmuesin 23-vjeçar, ndërsa edhe Barcelona po monitoron situatën për të gjetur një zëvendësues afatgjatë për Robert Lewandowskin.
Pas një sezoni të suksesshëm me klubin e Bundesligës, ku ka shënuar katër gola në shtatë ndeshje, Asllani ka treguar se është lojtar në ngritje. Ai ka shkëlqyer edhe me Kosovën, duke shënuar dy gola në pesë ndeshje ndërkombëtare.
23-vjeçari kthehet në Hoffenheim pas huazimit te SV Elversberg, ku shënoi 18 gola në 33 ndeshje dhe ndihmoi klubin të luftonte deri në fund për promovim në Bundesliga. Pavarësisht se skuadra e tij humbi në play-off, performanca e tij nuk ka kaluar pa u vënë re.
Analizat dhe raportet e skautëve e kanë nxjerrë Asllanin si një emër të spikatur këtë sezon. Graeme Bailey, korrespondent kryesor i TBR Football, thekson: “Asllani ka dalë në pah jo vetëm përmes statistikave, por edhe përmes vlerësimeve të skautëve. Barcelona ka mbetur shumë e impresionuar, por klube të tjera angleze janë gjithashtu të vëmendshme dhe po e ndjekin nga afër.”
Në Premierligë, Aston Villa po kërkon alternativë për Ollie Watkins, Chelsea nuk ka parë shumë lojë nga Liam Delap, ndërsa Tottenham po planifikon për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e Thomas Frank. Këto faktorë mund ta bëjnë transferimin e Asllanit në Angli më të afërt se sa duket.
Nëse vazhdon me këtë formë në Gjermani, futbolli anglez mund të bëhet destinacioni i ardhshëm i sulmuesit kosovar.








