Së paku pesë persona janë therur me thikë në shtëpinë e një kleriku çifut në Nju Jork.
Në shtëpinë e klerikut ishte duke u mbajtur një ceremoni fetare, kur sulmuesi u fut brenda dhe filloi t’i therte personat e pranishëm, bëri të ditur Këshilli Çifut për Çështje Publike.
Personi i dyshuar fillimisht u arratis nga vendi i ngjarjes, por më vonë u arrestua dhe u dërgua në mbajtje, njoftoi policia. Ende nuk është e qartë se cili ishte motivi i sulmit.
Këshilli Çifut tha se njëri prej të plagosurve është therur së paku gjashtë herë.
Televizioni CBS raportoi se sulmuesi ishte i armatosur me një thikë të gjatë dhe sulmi ndodhi rreth orës 22 sipas kohës lokale në zonën e quajtur Monsey.
Raportohet se sulmuesi u arratis me një veturë, por disa dëshmitarë kishin arritur t’ia merrnin numrat e targave dhe policia e arrestoi atë më vonë.
Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi policia e Nju Jorkut njoftoi se do t’i shtojë patrullat në zonën e banuar me shumicë çifute për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve anti-semite, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








