Federata e Futbollit e Italisë shpreson se lojtarët do të mundë të testohen për koronavirus në fillim të muajit maj, në përgatitje për ta rinisur sezonin.
Serie A është pezulluar që prej 9 marsit për shkak të pandemisë globale koronavirus.
Nuk ka datë të caktuar se kur do të rinis kampionati në Itali, të cilit i kanë mbetur edhe 12 javë të plota dhe katër tjera të shtyra për t’u zhvilluar.
“Sapo të jenë kushtet, ne do ta përfundojmë kampionatin”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina.
Duke folur për Sky Sport Italia, ai shtoi: “Do ta mbajmë një takim së shpejti. Do ta krijojmë një procedurë të cilën do ta bëjmë publike pastaj”.
“Shpresoj se do të fillojmë me testime në fillim të majit për t’u siguruar që të gjithë lojtarët nuk kanë virus dhe mund të stërvitin. A do të luajmë gjatë verës? Nuk kemi afat të caktuar por ideja është ta përfundojmë kampionatin”, shtoi ai. /Gazeta Express/








