Real Madridi po përgatitet për dy transferime të mëdha në të ardhmen e afërt: fillimisht duke e marrë Erling Haalandin nga Borussia Dortmundi gjatë kësaj vere, ndërsa vitin e ardhshme duke e transferuar Kylian Mbappen nga Paris Saint-Germaini.
Trajneri Zinedine Zidane kishte filluar ta rindërtojë skuadrën e tij qysh vitin e kaluar, kur shpenzoi shumë të mëdha parash për transferimin e disa lojtarëve, veçanërisht për Eden Hazardin e Chelseat, transmeton Gazeta Express.
E përditshmja spanjolle, Marca, tani raporton se strategu francez dëshiron t’i shtojë në skuadrën e tij edhe dy talentet më premtues në botën e futbollit për momentin, gjatë dy sezoneve të ardhshme.
Drejtuesit e Real Madridi janë të vetëdijshëm se kjo detyrë nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u realizuar, megjithatë ata duan të sigurohen se do t’ia plotësojnë këtë dëshirë Zidane, pasi që e dinë se edhe tifozët e duan të njëjtën gjë.
Haaland u transferua në Dortmund vetëm para pak muajsh, gjatë afatit kalimtar të janarit, mirëpo ai tashmë e ka dëshmuar veten në Bundesligë. 19-vjeçari i ka shënuar 12 gola në 11 ndeshjet e tij të para për klubin gjerman dhe ai ka klauzolë prej 66 milionë funtesh.
Ndërkohë, përderisa këtë verë Real Madridi do të kënaqet me transferimin e Haalandit, verën e ardhshme madrilenët e duan Mbappen.
Kontrata e francezit me Paris Saint-Germainin përfundon në vitin 2022 dhe ai nuk ka shfaqur dëshirë për ta rinovuar këtë kontratë. Zidane është tifoz i madh i tij dhe e ka bërë këtë të qartë shpeshherë, duke i shtuar pritshmëritë e tifozëve për transferimin e tij në Santiago Bernabeu. /Gazeta Express/








