Nga Esad DUJAKA
Fundjavë në Prishtinë, para festave të fundvitit. Gjallëri rrugëve kryesore, thua se njerëzit kanë harruar hallet e ndryshme të jetës dhe nuk iu ha shumë palla a po merren vesh VV e LDK që disi do të merren vesh ndër veti e ta formojnë më në fund atë qeveri, e cila aq punë na doli me te thua se do të mbetet gjallë nja disa dekada!
Një miku im, që si ha palla shumë për këto gjëra, dhe si zakonisht na thotë po kush dreqi po na pyet neve, veç po e kërkojnë votën dhe pasi ta kenë marrë nuk iu ha palla për ne, rrisin rrogat e veta, punësojnë miq e dashamirë e bashkëpartiak e popullit ia baft Zoti qarën...
Shiko të lutem, këta fëmijë që po shkojnë në shkollë nëpër këtë tym e mjegull! E ajri është i ndotur! I pashëndetshëm, sipas të dhënave aq të sakta që na i sjell shërbimi profesional i Ambasadës së SHBA në Prishtinë. E ku janë mësuesit që nuk reagojnë: Ku është Sindikati i Arsimit, ata që ngrehin zërin vend e pa vend, por që nuk u ha palla e nuk u preket ndërgjegjja që të brengosen për këtë dukuri me pasoja direkte për shëndetin e fëmijëve! Asnjë fjalë as ministri i arsimit, çfarë more, se ky rrezik është më e rëndë se rezultatet nga PISA! Çka na duhet shkolla me fëmijë që iu rrezikohet shëndeti? Nuk duket as ministri i shëndetësisë ,as kryeministri në shkuarje apo në ikje, i thuani si të doni, por mos shkoni pa e thënë asnjë fjalë për këtë breng ku rrezikohet shëndeti i qytetarëve, sidomos i më të vegjëlve...Dhe, pse nuk u propozua nga dikush nga këta< që i përmendëm që për NJË JAVË të mos mbahet mësimi sepse kontakti i organizmit të fëmijëve me këtë ajër të pashëndetshëm rrënon dhe rrezikon shëndetin e filizave të njoma!? Komuna po dërgon kifle e diçka tjetër si ushqim për fëmijët, por a po mendon ky kryetar e ata rreth tij se ata fëmijë nuk duan kifle nëse thithin dioksid karboni mu në zemër të Evropës e cila i merr shtruar këto probleme, dhe i ngrit këto çështje deri në instanca më të larta të shtetit të tyre...Kurse ne bëjmë sehir...flasim e shkyejmë gurmazin dhe bëhemi nervoz pa pasur se kush me ke po bënë koalicion, kush po vjen e kush po shkon, kurse pse shëndeti po na rrezikohet po e qesim si diçka që duhet të merret p.sh Organizata Botërore e Shëndetësisë! Jo, dalim në mënyrë simbolike dhe protestojmë disa dhjetëra, se tjerët kemi punë më të mëdha se sa shëndeti! Dhe, këtu merr fund çdo gjë, me ato letra të shkruara me disa porosi dhe askush nuk na pyet kush jemi e pse kemi dalë në rrugën kryesore të Prishtinës diku para Teatrit e pak më larg godinave shtetërore sepse atje nuk kemi as qeveri e as kuvend, por edhe kur i kemi për shëndetin mendojnë druaj më së paku!? Çdo gjë mbaron me ato dhjetëra maska që mbajmë për pak çaste, kurse ata që duhet të veprojnë dhe të mendojnë më seriozisht për shëndetin tonë e të vetin po se po, kanë maska ose që ne nuk ua shohim e ata vazhdojnë të derdhin lot krokodili për këtë popull e për këtë vend, e që shumica e tyre i dërgojnë fëmijët në shkolla private, me Rang Rowera e me kombibusa e autobusa kurse pjesa tjetër kush u ka faj që shkojnë këmbë në shkolla dhe helmohen me ajrin e pashëndetshëm!?
Si të mbrohemi ne të pambrojturit, sidomos fëmijët, nga ky rrezik që kanos shëndetin dhe që formulë ka CO2 e që emri i tij dihet me shekuj – dioksid karboni, i cili njerëzit nga viset e varfëra i godet më së keqi...








