Mauricio Pochettino ka thënë se ëndërron që një ditë të kthehet në klubin Newell’s Old Boys, bashkë me Lionel Messin e Barcelonës.
Ish-trajneri i Tottenhamit, i cili është i papunë momentalisht, e nisi karrierën e futbollistit në Newell’s në atdheun e vet, Argjentinë, transmeton Gazeta Express.
“Shpresoj se do të kthehem në klub një ditë. Mund ende të pres, preferoj që të kthehem pas 10 vjetëve. Bashkë me Messin”, tha Pochettino.

Newell’s është klubi i fëmijërisë së Messit, i cili po ashtu ëndërron të rikthehet atje para se t’i varë këpucët në gozhdë.
Pochettino po ashtu beson se Messi do të luajë në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe se Argjentina do të ketë një mundësi të mirë ta fitojë trofeun me të në skuadër.
“Kupa e ardhshme e Botës është synim shumë i madh i Messit dhe ekipit kombëtar. Shpresoj që Messi të shkojë në turne duke u ndier mirë.”, theksoi ai. /Gazeta Express/








