Komisioni Evropian shfaqi sot solidaritetin e tij me Poloninë gjatë një debati në Parlamentin Evropian për shtrembërimin e historisë dhe kujtesës së Luftës së Dytë Botërore, pas një polemike midis Varshavës dhe Moskës.
“Komisioni hedh poshtë çdo pretendim të rremë, i cili përpiqet të shtrembërojë historinë e Luftës së Dytë Botërore ose t’i paraqesë fajtorë viktimat, si Polonia”, tha komisionerja europiane e Drejtësisë, Vera Jourova, në Strasburg.
“Komisioni nuk do t’i tolerojë këto sulme ndaj Polonisë dhe është në solidaritet të plotë me Poloninë dhe popullin polak”, shtoi ajo.
Në dhjetor, Varshava dhe Moska nisën të fajësonin njëra-tjetrën për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, me akuzat për shtrembërim të historisë dhe minim të marrëdhënieve bilaterale, në një sërë shkëmbimesh vërejtjesh dhe njoftimesh zyrtare për shtyp.








