Në prag të sfidës miqësore të Shqipërisë ndaj Jordanisë, që do të luhet nesër në ora 19:00 në stadiumin “Air Albania”, selektori i kombëtares Sylvinho dhe mbrojtësi Klinsman Cake dolën në konferencën zyrtare për media.
Selektori Sylvinho theksoi se, edhe pse ndeshja është miqësore, ajo nuk do të trajtohet si e tillë.
Si trajneri Sylvinho, ashtu edhe Klisman Cake i bënë një thirrje të veçantë tifozëve për të mbushur stadiumin “Air Albania”, për t’i mbështetur kuqezinjtë në ndeshjen ndaj Jordanisë dhe për të festuar së bashku fitoren ndaj Serbisë.
Trajneri Silvinjo tha se ekipi është i fokusuar te ndeshja ndaj Jordanisë dhe te dy sfidat e rëndësishme të nëntorit, duke theksuar se nuk e sheh këtë takim si miqësor, por si një mundësi për të përmirësuar skuadrën.
“Ndeshjen e nesërme nuk e shoh si miqësore, sepse në çdo ndeshje futemi për të fituar. Nuk mendoj as për një formacion apo një 11-she që nuk kanë luajtur bashkë. Po punojmë shumë dhe nesër në mëngjes do të kemi 11-shen që do të jetë në fushë. Do të shohim edhe si kombinohen me njëri-tjetrin. Kemi lojtarë që kanë 6 muaj apo 1 vit me ne, por kanë bërë vetëm një ndeshje. Gripshi dhe Cake më pëlqejnë shumë si lojtarë, për personalitetin dhe për atë që kanë bërë deri tani në ekip”, tha ai fillimisht.
Tutje, ai foli edhe për ndeshjen ndaj Serbisë.
“Kthimi pas ndeshjes ishte i vështirë, erdhëm vonë dhe kishte shumë njerëz në aeroport. E dija që nuk ishte ndeshje normale. Por eksperienca që kemi fituar, që lojtarët kanë fituar gjatë Europianit, ndikoi që ta menaxhonim ndeshjen ndaj Serbisë. Llogaritë tona janë ndeshjet tona, kemi dy ndeshje të rëndësishme në nëntor. Të lumtur, po. Për herë të parë Shqipëria shkon të luajë dy ndeshjet e fundit me shanse që të jetë në play-off, është e bukur. Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme, llogaritë janë për ndeshjet tona”, shtoi ai.
Sylvinho bëri me dije se sa ‘ndjehet’ shqiptar momentalisht.
“Pas kualifikimit në Europian, ndihesha 7. Pas kësaj fitoreje, ndihem 8 e gjysmë, gati 9. Në të dyja ndeshjet kemi bërë mirë, në fushë luhet futboll. E kuptoj rëndësinë e ndeshjes, për tifozët dhe për të gjithë”, tha Sylvinho në konferencë.
Ai pati po ashtu një mesazh për lojtarët e tij dhe tifozët.
“Mesazh për 24 lojtarët, secili mund të jetë në fushë apo në pankinë. Unë nuk besoj në miqësore, mendoj për hapin tjetër që është i rëndësishëm dhe vjen në nëntor. Përsa i përket tifozëve, të mbështesin Kombëtaren sepse lufton me zemër, gjak dhe shpirt. Mund të humbasësh, por asnjëherë nuk i ka munguar gjaku, shpirti dhe zemra. E dimë që nuk ka rrugë tjetër, përveçse të ecim përpara. Kërkojmë mbështetjen e tifozëve. Duhet të jem i sinqertë, nuk kam parë asnjë kundërshtar që mund të na shfaqet përpara për play-off. E njoh veten shumë mirë, tani mendojmë për ndeshjen e nesërme dhe për dy takimet e rëndësishme të nëntorit. I kam thënë djemve që ndeshjen e nesërme nuk e shoh si miqësore, por si mundësi. Ekipi Kombëtar është këtu dhe mendja është te hapi i radhës në kualifikueset e nëntorit. Jo, nuk kam parë asgjë më përpara”, përfundoi tekniku brazilian./GazetaExpress/








