“Final 8” i Kupës së Kosovës në basketboll do të zhvillohet nga 9 shkurti deri më 13 shkurt në Pejë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në “Kujtesa".
Nikoqirja e “Final 8” në Kupën e Kosovës në basketboll, Peja, ka konfirmuar se i ka kryer të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e kësaj gare spektakolare, e cila do të zhvillohet në palestrën “Kagaragçi” nga 9 shkurti deri më 13 shkurt, shkruan Gazeta Express.
Klubi i basketbollit Peja ishte i vetmi që kishte konkurruar në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për ta organizuar këtë ngjarje të madhe, të cilën në vitin e kaluar e kishte fituar Sigal Prishtina.
Për një organizim sa më të mirë të kësaj gare të madhe, pejanët e kanë kontraktuar një kompani që ta bëjë gjithë organizimin e duhur.
Organizatorët nga kjo kompani dhe drejtuesit e Pejës, bashkë me ata të FBK-së, të shtunën e mbajtën një konferencë për media në qytetin mikpritës të Pejës, ku than se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet, duke e premtuar një spektakël të basketbollit.
Kryetari i KB Peja, Fatmir Gashi, është shprehur se, janë tri arsye që kanë dashur, që Kupa të organizohet në Pejë. “Arsyeja kryesore është për nder të Agim Llukës, i cili ka dhënë kontribut të madh për Klubin e Pejës, por edhe basketbollin kosovar në përgjithësi. Do të mundohemi të organizojmë sa më mirë për kujtim të tij. Arsyeja e dytë është 30 vjetori i themelimit të klubit, si dhe na ka munguar një organizim i tillë në vitet e fundit në qytetin tonë dhe mendoj se është koha e duhur për ta organizuar”, është shprehur Gashi në konferencën media.
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku ka folur për punën që po bëhet për organizimin e Kupës. “Federata e Basketbollit e Kosovës është e kënaqur me rrjedhën e organizimit të Kupës së Kosovës deri më tani. Siç dihet për këtë ngjarje janë duke punuar, dy grupe punuese, në njërën anë që udhëhiqet nga Alfa dhe Omega e FBK-së, Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve dhe kompania e kontraktuar nga KB Peja për këtë event, Compact Solution, me në krye Luan Malokun. Jam e privilegjuar që sot e kam parë Arbën, vajzën e Agim Llukës, që ka dhënë ndihmë në Universitetin e Prishtinës, aty ku kam luajtur. Ai ka bërë shumë për basketbollin e Pejës, por edhe të Kosovës në përgjithësi”, nënvizoi Dushku.
Sipas masave të reja anti-Covid të Qeverisë së Kosovës, në palestra nuk lejohet të hyjnë më shumë shikues sesa 10 për qind e kapacitetit të palestrës. Por, organizatorët presin që në këtë garë të lejohen ta përdorin 30 përqindëshin e kapacitetit, duke siguruar se biletat do t’u shiten vetëm atyre shikuesve që dëshmojnë se janë vaksinuar.
Nga Compact Solution, ka folur Luan Maloku. “Është nder dhe privilegj i madh për të organizuar Kupën, duke marrë parasysh që Federata e Basketbollit e Kosovës është model për organizime. Do të mundohemi t’i përmbushim të gjitha kushtet e kërkuara nga KB Peja dhe FBK. Falënderoj të gjithë për besimin e dhënë ndaj kompanisë tonë, ku besoj do të jetë një spektakël i basketbollit”, nënvizoi Maloku.
Ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen më 9 dhe 10 shkurt, kur Golden Eagle Ylli do të takohet me Dritën, ndërsa Trepça do të ballafaqohet me Rahovecin.
Ndërkohë Prizreni 16 ballafaqohet me Bashkimin, kurse kryendeshja do të zhvillohet në mes rivalëve të vjetër, Pejës dhe Sigal Prishtinës, me të cilin duel do të fillojë gara e madhe.
Fituesit e këtyre dueleve do të ndeshen në gjysmëfinale, në kërkim të finales së madhe.
Krejt këtë ngjarje të madhe sportive do ta transmetojë drejtpërdrejt “Kujtesa” përmes kanaleve të saj të Sportit.
Maloku në fund shtoi se bileta për të gjitha ndeshjet, nga dita e parë deri në fund do të kushtojë 15 euro, për një ndeshje kushton 5 euro, ndërsa për tifozët udhëtues të klubeve do të kushtojë 3 euro. Çdo person që dëshiron biletë do të tregojë dëshminë e vaksinimit dhe me emër do të vendoset në ulëse. /GazetaExpress/








