Para 20 vitesh në Minsk u zhdukën pa lënë gjurmë tre politikanë të opozitës dhe ish-ministri i Brendshëm Sacharenko.
Një dëshmitar i mbrojtur, ish-pjesëtar i njësive speciale të ekzekutimit do të zbardhë të vërtetën, thotë DW. Juri Garavski ka vendosur të raportojë për vrasjet, në të cilat ka qenë i përfshirë para 20 vjetësh. Sot ai jeton si azilkërkues në një vend, që duhet mbajtur i fshehtë. Garavski jeton me frikë të vazhdueshme prej shërbimit sekret bjellorus.
“Unë kisha informacione, që ata ose donin të më arrestonin ose të më fusnin në burg. Unë nuk doja as të futesha në burg dhe as të akuzohesha për diçka që nuk e kam bërë.” Nga një aksident automobilistik në Bjellorusi Juri Garavskit iu dëmtua legeni. Në spitalin e vendit ku ai është strehuar 41 vjeçarin e operuan. Tani ai sërish mund të lëvizë pa paterica. Por Jurit i ka mbetur shenjë nga aksidenti, që ai e konsideron si një atentat prej misioneve të fshehta të mandatuara nga shteti, të cilat e kanë bërë atë kriminel.
Gjendja politike në Minsk në vitet 90-të ishte dramatike. Ish-ministri i Brendshëm Sacharenko ishte koka drejtuese e opozitës. Ai dhe përkrahësit e tij donin ta pengonin devijimin e vendit në diktaturë dhe donin ta rrëzonin presidentin bjellorus Lukashenko.
Ky i fundit me dy referendume të diskutueshme kishte kapur të gjithë pushtetin. Parlamentin e nxorri jashtë loje. Greva e urisë e deputetëve nuk pati rezultat. Juri Garavski rrëfen për DË, se në 7 maj 1999 ish ministri i Brendshëm bjellorus, Sacharenko parkoi makinën pranë selisë së vjetër të zjarrëfikësve në qendër të qytetit. Prej vendparkimit ish-ministri i Brendshëm metrat e fundit drejt shtëpisë ecën më këmbë. Rikonstruktimi i atentatit bazohet në dëshmitë e dëshmitarit të mbrojtur Juri Garavski.
Dy burra e ndjekin Sacharenkon, që ai të mos ketë mundësi të arratiset. Më pas dy të tjerë i zenë atij rrugën nga përpara. Ata janë ushtarë të veshur civilë. I përkasin njësisë speciale „SOBR”. „Ejani me ne, policia”, i thotë njëri prej tyre. Kur e rrëmbëjnë, Sacharenko nuk bën rezistencë. Automjeti e çon atë në një shesh stërvitjeje të trupës, në veri-lindje të Minskut. Në makinë ai i thotë njërit prej rrëmbyesve: Bëjeni që të mos dhemb! Garavski i jep një oficeri të komandës pistoletën e tij. Një njësi speciale e armatosur për ekzekutime – e stërvitur për të shtëna nga afër. Sacharenko vdes në vend. Që nga ajo kohë Aleksandër Lukashenko është sundimtari i vetëm në vend.
Bjellorusia konsiderohet si diktatura e fundit në Europë. Bjellorusia ka disa njësi speciale të përbëra nga djem besnikë të presidentit. Lukashenko i mban sekret vrasjet e politikanëve. Hetuesit e Këshillit të Europës madje dyshojnë se ai mund të jetë zanafilla e atentateve.
Ndaj Lukashenko prej vitesh nuk është mirëpritur në Perëndim. Çdo vit në vjeshtë një roje nderi në Minsk përkujton Sacharenkon dhe politikanët e tjerë të zhdukur. Edhe për fatin e të tjerëve Garavski ka dijeni si një ndër pjesëmarrësit. Kështu pas 20 vjetësh mund të dalë në dritë e vërteta e mirëfilltë e skuadrave bjelloruse të vrasjeve.








