Profesori amerikan Francis Fukuyama ka komentuar situatën politike në Serbi nën regjimin e Aleksandar Vuçiqit, duke theksuar se presidenti serb prej vitesh ka ndjekur një politikë të dyfishtë mes Perëndimit dhe Rusisë.
Sipas Fukuyamas, Vuçiiq është përpjekur të luajë në disa fronte njëkohësisht – duke deklaruar synimin për integrim në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunim me NATO-n, ndërsa në të njëjtën kohë ka ruajtur lidhje të afërta politike me Moskën. Megjithatë, ai vlerëson se kjo strategji tashmë është demaskuar.
“Duket se tani të gjithë e kanë kuptuar se ai nuk është aleat i besueshëm për askënd,” shprehet Fukuyama.
Ai shton se edhe Rusia nuk i ofron më mbështetje të plotë Beogradit, ndërsa në Uashington interesi për Serbinë mbetet i kufizuar. Sipas tij, politika amerikane ndaj Serbisë nuk është prioritet i drejtpërdrejtë i Donald Trumpit, por më herët është menaxhuar nga emisari Richard Grenell.
Fukuyama ka shprehur gjithashtu mbështetje për lëvizjen studentore në Serbi, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm shoqëror. Ai thekson se ndryshimi politik duhet të vijë nga brenda vendit dhe jo si rezultat i presionit të jashtëm.
“Ndonjëherë mbështetja perëndimore mund të jetë thikë me dy tehe. Është e rëndësishme që qytetarët e Serbisë ta realizojnë këtë proces vetë,” thekson profesori amerikan.








