Pak para fillimit të seancës përfundimtare në procesin gjyqësor kundër prof. dr. Sadri Ramabajës, i njohur edhe si rasti “Syri i Popullit”, është deklaruar prokurori i rastit, Sylë Hoxha.
Hoxha, para mediave ka thënë se Organizata Syri i Popullit ka pasur plan kriminal dhe në vitin 2015 ka marrë vendim për vrasjen e personaliteteve. Ai ka thënë se në mungesë të provave Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për Sadije Sadine dhe Lirije Luzhën.
“Në mungesë të provave hjek dorë nga ndjekja penale e Sadije Sadine dhe Lirije Luzha. Sa i përket të akuzuarve të tjerë janë mbajtur disa seanca dhe konsideroj se pasi janë dëgjuar dëshmitarët mendoj aktakuza është vërtetuar në tërësi. Nga ajo që i kemi u vërtetua që këta të akuzuar kanë kontribuar në këtë organizatë dhe janë marrë veprime siç është rasti i Murat Jasharit, i cili ka shkuar te banesa e Azem Vllasit dhe ka shti ndaj tij”, ka deklaruar Hoxha.
Tutje ai ka dhënë detaje se si Murat Jashari ia kishte paguar dhomën në një hotel Avni Llumnicës.
“....dhe në qytet e ka kontaktu Llumnicën dhe ia ka pagu dhomën dhe pas aksionit janë taku në qytet dhe janë fotografu, por pas disa orësh ata janë arrestu. Sadri Ramabaja dhe Avni Lluminca janë taku në vilën Panorama të tretë ku Sadria ka dhënë instruksione dhe aty është kërkuar Azem Vllasi”, ka thënë Hoxha.
Tutje prokurori i rastit, Sylë Hoxha, ka deklaruar se Organizata “Syri i Popullit” ka pasur plan kriminal dhe në vitin 2015 është marrë vendim për vrasjen e personaliteteve.
“Po ashtu u vërtetu që në 2017 të shtëpia e Ragim Sallovës janë grumbulluar 30 persona dhe në atë takim Sallova u ka dhënë një fletore dhe disa pjesëmarrës janë manipuluar. Në këtë takim Sallova ia ka dhanë fjalën Murat Jasharit se do fillojnë vrasjen e atyre që i kanë tradhtu interesat e popullit të Kosovës. Shumica e dëshmitarëve kanë thënë që Murati s’ka kapacitet që të shkruaj libra. Sadri Ramabaja ia ka shkru librat”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas tij, nga ky plan kanë pasur për qëllim të lëshohen edhe komunikata.
Ndërkohë, prokurori i shtetit ka thënë se duke i pasur parasysh të gjitha faktet, do t’i propozojë Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për përgatitje të veprave terroriste. “Propozoj që ndaj të akuzuarve t'i marr parasysh të gjitha të dhënat”, ka thënë prokurori Hoxha.
E ndërkohë, seanca përfundimtare për organizatën "Syri i Popullit", po mbahet në Gjykatën Themelore pa praninë e mediave. /GazetaExpress/








