Kjo kompani tashmë drejtohet nga një shqiptar. Elvin Guri është ai që zotëron me aksione Telekom Albania-n në Shqipëri. Ditët e fundit ai ka vizituar Kosovën për të parë nga afër klimën e biznesit.
Në një intervistë për T7/Express ai ka thënë se është i interesuar që të krijojë diçka edhe në Prishtinë.
“Unë jam mërgimtar më shumë se 27-vjet kam dashur gjithmonë që të bëjë diçka për Kosovën e Shqipërinë. Mu dha rasti për blerjen e Telekomit por gjithmonë kam në mendje krijimin e një produkti shqiptar, jo nga Kosova apo Shqipëria. Dhe kjo ndjenjë patriotizmi apo realizëm më zgjon kureshtjen që të hulumtoj për mundësi investimesh në Prishtinë”, ka thënë Guri.
Madje thotë se kërkon hapësirë për investime në Shqipëri e Kosovë.
“Jam tejet i motivuar që të gjej hapësire për investime në Shqipëri e Kosovë”, ka thënë Guri.
Por edhe Guri ka dëgjuar për atë se çfarë ka ndodhur në Telekomin e Kosovës.
Madje thotë se kjo është nuk pasqyrë e mirë për investitorët potencialë.
“Gjendja ekonomike e kompanive shtetërore gjithmonë ndikon në interesin e investitorëve të huaja. Nëse kompanitë janë të mirëmenaxhuara, interesi investitorëve është më i madh, nëse jo, atëherë ikin edhe ata”, ka thënë Guri.
Elvin Guri është investitor, sipërmarrës me mbi 23-vjet përvojë në sektorin bankar dhe atë të kapitalit privat.








