Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, dhe trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, beson se lojtarët duhet të testohen për koronavirus para se të rinisin seancat stërvitore dhe ndeshjet në Ipko Superligën e Kosovës.
Futbollistët e klubeve kosovarë janë vetizoluar në shtëpi shkaku i pezullimit të kampionatit në Ipko Superligën e Kosovës, që u vendos shkaku i përhapjes së koronavirusit kudo në botë, transmeton Gazeta Express.
Përderisa ata s’kanë pasur mundësi të zhvillojnë ndeshje apo stërvitje me klubet e tyre, shumicës u janë dhënë programe stërvitore individuale për t’i ndjekur sa të jenë në shtëpi. E para se të kthehen në stërvitje me klubin, Eroll Salihu beson se do të kishte qenë mirë që ata të testohen.
“Unë mendoj se klubet duhet së paku t’i bëjnë ato teste para se ta fillojnë sërish punën në ekip, të paktën mjekët që kanë përvojë t’ua masin lojtarëve temperaturën apo t’i pyesin për ato simptomat kryesore në mënyrë që të mos i lihet rastësisë. E klubet që kanë mundësi le të shkojnë edhe më tej me teste”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
Të njëjtin mendim e ka edhe Afrim Tovërlani, i cili megjithatë thotë se në Feronikel s’është diskutuar ende kjo mundësi. “Lojtarët janë të shqetësuar për situatën. Ne nuk e kemi diskutuar ende sa i përket testeve pasi që për momentin nuk kemi kontakte të përditshme me ta. Por, do të ishte mirë t’i bënim ato teste”, ka thënë Tovërlani. /Gazeta Express/








