Protestuesit anti-qeveritarë në Hong Kong të mërkurën kanë marshuar nëpër qendrat e dekoruara tregtare, duke e detyruar një qendër që të mbyllet para kohës. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur në rrugët përreth.
Protestat janë bërë më të tensionuara gjatë sezonit të festave, ndonëse ato ishin kryesisht paqësore në fillim të këtij muaji pas fitores bindëse të kandidatëve të opozitës në zgjedhjet për këshillin lokal.
“Përleshja është e pritshme, nuk ka rëndësi që janë Krishtlindjet. Jam i zhgënjyer që qeveria ende nuk është përgjigjur kërkesave tona. Ne do të vazhdojmë të dalim në rrugë, edhe nëse nuk kemi shumë shpresë”, tha një burrë 28-vjeçar që kishte dalë në protestë.
Qindra protestues, të veshur me rroba të zeza dhe maska, kaluan nëpër qendra tregtare, duke brohoritur “Çlirojeni Hong Kongun! Revolucion i kohëve tona!”
Protestat në Hong Kong patën nisur fillimisht në qershor të këtij viti kundër projektligjit për esktradimin e qytetarëve në Kinë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.








