Sa herë një skandal financiar bëhet publik dhe opinion i gjerë është krejt i vetëdijshëm për vjedhjen e njëkohësisht bën humor me të, më kap një trishtim dhe rrekem të gjej arsyet e këtij viskoziteti në reagim. Çfarë ka ndodhur që pushteti i përdor paratë e taksave të shqiptarëve në menyrë kaq shpërfillëse për reagimin e tyre?
Madje, nëse ndonjëri prej nesh guxon e përdor fjalën “taksat tona”, siç i qëlloi një gazetareje para ca kohësh, ndesh në reagimin cinik e përtallës të Kryeministrit: “ sa taksa ke paguar zotrote”. Sepse në kokën e Kryeministrit taksat i paguajnë vetëm klientët e mëdhenj të pushtetit, ata që përfitojnë tenderat apo pasuritë kombëtare me vendime qeverie. Ne të tjerët duhet të jemi mirënjohës, thua ti se po na mbajnë ata me bukë e jo e kundërta, ne po mbushim xhepat e tyre. Ne jemi klientët fundorë të gjithë klientëve të pushtetit, jemi ata që paguajnë taksën dhe fitimin e tyre nga buxheti ynë vocërrak.
Shteti është ndërtuar mbi bazën e disa rregullave dhe barrierave që të pengojë dëshirën njerëzore për keqpërdorimin e parave të tij. Pushtetarët janë gjithmonë në kërkim të shtigjeve për tejkalimin e këtyre barrierave ndërsa shoqëria, përmes ligjeve dhe strukturave mbrojtëse demokratike si Opozita, Kontrolli i Shtetit, Prokuroria apo Media është rojtare për mosshkeljen e këtyre rregullave. Një rol veçanërisht të rëndësishëm për vendet e vogla siç jemi ne kanë edhe partnerët ndërkombëtarë e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mjafton të shohim sesa është protagonist Ambasadori i tyre në vendin tonë për të kuptuar këtë fakt. Atëherë cila nga hallkat nuk funksionon që vjedhjet apo keqpërdorjet e parave ndodhin kaq hapur?
Mospërfillja e pushtetit ndaj opinionit publik buron nga këta faktorë të rëndësishëm:
E para sepse sistemi i sotëm i Drejtësisë është krejtësisht nën kontrollin e Kryeministrit. Sot më shumë ka frikë Kryeprokurori i SPAK-ut nga Kryeministri ose ndonjë vartës i tij sesa e kundërta. E vërteta është se kështu ka qenë përherë por shpresa se diçka do të ndryshojnte me Reformën në Drejtësi ka qenë e madhe. Por, kjo Reformë u bë nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit dhe ishte një mjet i mirë për të larguar përveç të paaftëve dhe të korruptuarve edhe të pabindurit potencial. Kryeministri arriti deri aty sa të krijonte struktura kërcënuese, paralele, siç ishte ligji për KÇK-të. Ishte një rast pa precedent ku ekzekutivi kërkon të luftojë korrupsionin në Drejtësi ndërkohë që duhej të ishte e kundërta. Sa efekt pati ai ligj? Asnjë sigurisht. Ai u hartua për tu thënë prokurorëve dhe gjykatësve se mbi të gjithë jam unë dhe do të mbijetojnë ata që më përshtaten mua.
Në Drejtësinë e re mbetën ata që peshkun e madh e shohin kudo përveçse në Kryeministri. Zhgënjimi nga Reforma në Drejtësi është një nga më të mëdhatë për pritshmëritë që kishte krijuar në shoqëri.
E dyta është rrënimi gradual i Opozitës. Në mungesë të një figure përbashkuese dhe një lideri frymëzues opozitar; me ndihmën e propagandës linçuese dhe degraduese, pushteti i Ramës ia ka arritur të defaktorizojë Opozitën. Madje, më shumë se kaq. Ia ka arritur ta diabolizojë atë. Përmes manipulimeve dhe propagandës mediatike sot shumica e shqiptarëve nuk merren me vjedhjet dhe shpërdorimet e përditshme por me Gogolin e Saliut apo me naivitetin e Lulit. Figurat më të njohura të medias i prijnë krijimit të opinionit se Berisha 77 vjeçar dhe 9 vjet pasi ka lënë pushtetin është e keqja më e madhe e këtij vendi.
E treta, ambasada amerikane në Tiranë prej kohësh ka treguar publikisht se Edi Rama është i përzgjedhuri i SHBA-ve në Shqipëri. Me dhjetëra raste kanë treguar se përpara Ramës ata janë gati të mbyllin sytë siç bënin edhe para Berishës dikur. Mjafton që ky të jetë në dispozicion të nevojave amerikane në rajon, të marrë afganë, iranianë, guantanamas që nuk i pranon njeri. Për të tjerat nuk ka problem. Gati është krijuar përshtypja kolektive se korrupsioni masiv është një dëm mkolateral i zhvillimit. Ku ka bukë do ketë edhe thërrime. Sot Ambasadorja amerikane është e fokusuar te Berisha dhe pandëshkueshmëria e tij. Njësoj si emisarët mediatikë të Ramës. Situata është sikur një Kryetar i një fshati në Shqipëri ta ketë mirë me Kryeminsitrin. Edhe banorët e fshatit i dorëzohen atij.
E katërta dhe më interesantja nga të gjitha. Kemi arritur në nivelin që askush nuk shqetësohet nga media. Domethënë këtu ke liri për të shkruar apo publikuar çfarëdo skandali sepse efekti i shkrimit apo publikimit është i papërfillshëm. Publiku është ambientuar me vjedhjen dhe korrupsionin dhe ky është lajmi më i keq i mundshëm për një shoqëri. Jemi në fazën e pranimit, faza kur I swmuri terminal pajtohet me fatij e tij tragjik.
Do jetë shumë vështirë që pas kësaj, ndonjëherë, të kthehemi më mbrapa.








