Komuna e Graçanicës, përmes Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim, ka lëshuar leje ndërtimi për një konak pranë Manastirit të Graçanicës, i cili është i mbrojtur si aset i përhershëm i trashëgimisë kulturore dhe lokalitet arkeologjik, pa pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Institutit Arkeologjik. Punimet kanë nisur brenda perimetrit të manastirit, duke përfshirë edhe rrënimin e një pjese të një objekti ekzistues, pa lejen e institucioneve kompetente.
Siç raporton Koha, ky projekt është realizuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, sipas ligjit, duhet të kërkojë miratim paraprak për çdo ndërhyrje brenda zonave të mbrojtura. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar pezullimin e lejes për ndërtim, por Drejtoria për Urbanizëm ka refuzuar të përfillë rekomandimin, duke u bazuar në Planin Zhvillimor të Komunës dhe ligjet lokale, të cilat nuk e lejojnë ndërhyrjen pa lejen e institucioneve kompetente.
Në pjesën juglindore të murit rrethues të Manastirit të Graçanicës është rrënuar një pjesë e një objekti ekzistues. Edhe ky veprim është bërë pa kurrfarë pëlqimi nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Më pas ka nisur një ndërtim i planifikuar si konak për murgjit e Manastirit, i cili prej vitit 2016 është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë me të cilën shteti mbron një monument. Punimet janë zhvilluar brenda perimetrit të monumentit
Manastiri i Graçanicës, ndërtuar në shekullin XIV mbi themelet e një bazilike të shekullit VI, është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe njihet për afresket e saj të rralla, ikonat dhe arkitekturën bizantine. Veprimet e Kishës Ortodokse Serbe dhe Komunës kanë shqetësuar institucionet dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e monumenteve historike.








