Tragjedia në Novi Sad, ku u shemb streha e Stacionit Hekurudhor dhe humbën jetën 16 persona, mund të ishte shmangur, tregojnë dokumente të brendshme në posedim të Komisionit Hetimor për përcaktimin e përgjegjësisë. Sipas këtyre materialeve, të cilat revista Radar pritet t’i publikojë në mënyrë të detajuar, shkaku i tragjedisë nuk qëndron vetëm te gabimet teknike gjatë rindërtimit, por edhe te korrupsioni, neglizhenca institucionale dhe injorimi sistematik i rreziqeve të dokumentuara.
Një raport i brendshëm mbi punimet në ndërtimin e linjës hekurudhore Beograd–Stara Pazova tregon se autoritetet kompetente kishin informacion të mjaftueshëm për problemet serioze në realizimin e projektit, përfshirë shkelje ligjore, cilësi të dobët të punimeve dhe kallëzime penale ndaj kontraktorëve. Megjithatë, këto paralajmërime u injoruan, duke çuar në pasoja fatale.
Dokumenti evidenton se konsorciumi kinez CRIC–CCCC, i angazhuar për punimet, kishte vonesa të mëdha, probleme strukturore në organizim, mungesë dokumentacioni teknik dhe përdorim të nënkontraktorëve me reputacion negativ, shpesh pa miratimin e investitorit. Deri në mesin e vitit 2020 ishte realizuar më pak se 25 për qind e punimeve, ndonëse kishin kaluar dy të tretat e afatit kontraktual.
Raporti përmend gjithashtu se punimet në disa segmente janë kryer pa projekt të miratuar, pa mbikëqyrje, në kundërshtim me lejet ndërtimore dhe rregullat teknike, madje edhe gjatë orëve të ndalimit të lëvizjes gjatë pandemisë. Inspektimet çuan në ndalimin e punimeve dhe në paraqitjen e kallëzimeve penale, por përgjegjësia penale u kufizua kryesisht te persona në pozita të ulëta, ndërsa aktorët e huaj dhe nivelet më të larta të vendimmarrjes mbetën të paprekura.
Veçanërisht shqetësuese është gjetja se kallëzimet penale janë ngritur pothuajse ekskluzivisht ndaj shtetasve serbë në pozita ekzekutive, ndërsa ndaj kompanive kineze janë ndjekur vetëm procedura për kundërvajtje ekonomike, çka, sipas raportit, dëshmon selektivitet në zbatimin e ligjit dhe mbrojtje institucionale të aktorëve të huaj.
Pavarësisht këtyre gjetjeve alarmuese, shteti serb nuk e ndërpreu bashkëpunimin me kontraktorët problematikë, por vazhdoi t’u besojë projekte të reja infrastrukturore, përfshirë edhe segmentin Novi Sad–Kelebi. Sipas Komisionit Hetimor, pikërisht ky vazhdim i të njëjtit model kontraktimi dhe kontrolli krijoi kushtet që tragjedia në Novi Sad të ndodhte.
Mesazhi qendror i dokumentit është i qartë: sistemi kishte prova, paralajmërime dhe mekanizma për ta parandaluar tragjedinë, por dështoi për shkak të korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë dhe heshtjes institucionale.
Radar paralajmëron se në numrat e ardhshëm do të publikojë versionin e plotë të raportit dhe dokumente shtesë, të cilat deri më tani nuk kanë qenë publike.








