Edhe përkundër faktit se Kosova gjendet në një situatë tranzicioni e pa qeveri Edi Rama nuk po i ndalë takimet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me qëllim të jetësimit të projektit të ashtuquajtur “Minishengen”, që sipas tyre do të përmirësojë bashkëpunimin ekonomik në rajon.
Para pak minutash Rama e Vuçiq kanë filluar një takim në Tiranë në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri i dorëhequr i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Nga Kosova e gjithë nisma e Ramës dhe Vuçiqit për “Minishengen” është bojkotuar. Ftesën e fundit të Ramës për t’iu bashkuar në Tiranë e ka refuzuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se nuk merr pjesë në një tryezë të tillë për shkak të Serbisë.
Ndërkohë dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka organizuar një protestë kundër vizitës së Aleksander Vuçiqit.

Në këtë Samit nuk po merr pjesë as Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell.
Tema e Minishengenit është shndërruar edhe në një temë përplasjesh Kosovë-Shqipëri. Edi Rama kishte akuzuar Kosovën se po vetëziolohet me vendimin për të mos marrë pjesë në iniciativa të tilla.
Ndërkohë nga Kosova ka marrë kritika. Kreu i LDK’së, ish-kryeministri Isa Mustafa një iniciativë të tillë e ka cilësuar si një përpjekje për krijimin e një “Jugosllavie të vogël”.
Kreu i VV’së, Albin Kurti, ndërkohë kishte thënë se Edi Rama është ngutur teksa ka zgjedhur për bashkëpunim Serbinë përpara Kosovës. Gjatë një vizite në Tiranë, Kurti u kishte thënë gazetarëve se Serbia do të duhej lënë në fund, pasi sipas tij nuk ndal flirtin me Rusinë.
Për jetësimin e iniciativës për Minishengenin janë mbajtur edhe dy takime paraprake. Një në Novi-Sad dhe tjetri në Ohër të Maqedonisë. Në asnjë prej tyre nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i Republikës së Kosovës./GazetaExpress/








