Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashqi, deklaroi se problemet me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë janë pasojë e përfaqësimit të pamjaftueshëm dhe joefektiv politik, duke aluduar në mënyrën se si përfaqësohen nga Lista Serbe.
Në një intervistë për RTK2, Rashqi tha se situata aktuale brenda komunitetit serb është rezultat i një qasjeje të gabuar politike, e cila, sipas tij, ka prodhuar pasiguri dhe zhgënjim te qytetarët. Ai theksoi se edhe persona që kanë pasur vende të qëndrueshme pune dhe të ardhura të mira kanë vendosur të largohen nga Kosova.
“Ka njerëz që kanë pasur punë të përhershme dhe të ardhura të mira, por ata ishin të parët që vendosën tabelën ‘Shtëpia në shitje’. Kjo është pjesë e një rënieje të brendshme, e shkaktuar para së gjithash nga përfaqësimi i papërshtatshëm politik”, u shpreh ai.
Sipas Rashqit, shumica e serbëve në Kosovë kanë humbur shpresën për ndryshime reale pozitive.
Sa i përket kthimit të të zhvendosurve, ai bëri të ditur se interesimi ekziston, por kryesisht nga persona të moshuar. Rashqi premtoi se ministria që ai drejton do të punojë për përmirësimin e programeve për kthim dhe riintegrim në periudhën e ardhshme.








