Anëtari i kryesisë së LDK’së, Arban Abrashi, ka reaguar pas një shkrimi të Gazetës Express se ai dhe disa anëtarë të tjerë në mbledhjen e sotme të kryesisë kanë qenë kundër koalicionit me Vetëvendosjen. Ndonëse thotë se nuk ka qenë kundër, Abrashi askund nuk i referohet Vetëvendosjes në emër, por e quan ‘parti me 29 deputetë”.
Abrashi ka shkruar në Facebook se ai ka qenë edhe sot pro koalicionit me VV’në, të cilën refuzon ta përmend si subjekt me emër.
“Sqarim: Edhe sot isha pro koalicionit me partinë me 29 deputetë. Kërkova të afatizohet dhe të mos shtyhet më shumë arritja e marreveshjes. LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t'i takojnë Presidenti, Kryeparlamentari dhe pesë ministri”, ka shkruar anëtari i kryesisë së LDK’së, duke shktuar se “Eshtë koha për ndërtimin e Qeverisë”.
Ndërkaq, ai ka kritikuar mënyrën se si po vepron VV’ja, duke thënë se partneriteti nuk krijohet me video, por me mirëbesim e mirëkuotim.
“Partneriteti ndërtohet me mirëbesim e mirëkuptim, e jo përmes video prezentimeve, e nëncmimit të partnerit të vetëm serioz. Mos ia humbni shpresën vendit!”, ka shkruar Abrashi.
“P.S. kërkoj falje për lexuesit, dhe dezinformatat e plasuara nga fansat e partise me 29 deputet, por herave tjera flas me emra. Shendet”, shton ai.
Gazeta Express, nga burimet brenda kryesisë së LDK’së, ka mësuar se në mbledhjet që kjo parti ka mbajtur sot, disa anëtarë, përfshirë Arban Abrashin, kanë qenë kundër koalicionit me VV’në. /Express/








