Real Madridi është tërhequr nga gara për ta blerë sulmuesin anglez Harry Kane, duke ia prishur planet presidentit të Tottenham, Daniel Levy, për ta shitur atë te ofertuesi më i lartë dhe duke ia hapur rrugën Manchester Unitedit, sipas mediave britanike.
Sulmuesi i Tottenham, Harry Kane, nuk do t’i bashkohet Real Madridit këtë verë, sipas Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Edhe pse në të kaluarën ka bërë biznes të madh me klubin e Premierligës duke i blerë Luka Modricin më 2012 dhe Gareth Bale më 2013, Madridi nuk e ka ndërmend ta bëjë të njëjtën edhe me Kane këtë verë.
Gjiganti spanjoll nuk pritet të bëjë blerje të mëdha gjatë verës, sepse është duke u përgatitur ta mposhtë ndikimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia koronavirus.
Kane pritet të largohet nga Tottenhami në kërkim të trofeve dhe duke e parë këtë, presidenti i klubit Levy është i hapur ta shesë atë për të grumbulluar të holla për larjen e borxheve pas ndërtimit të stadiumit të ri që i kushtoi 1 miliard funte. /Gazeta Express/








