Real Madrid u trondit rëndë mbrëmë pas eliminimit befasues 2-3 nga Albacete në Copa del Rey, një humbje që mediat spanjolle e cilësuan si një nga momentet më poshtëruese të klubit në dekada.
“Los Blancos” u mposhtën nga një skuadër e divizionit të dytë, duke dalë jashtë kompeticionit që në rrethin e të 16-tave.
Sipas TuttoMercatoWeb, atmosfera brenda dhomës së zhveshjes pas 90 minutave ishte totalisht e zymtë dhe e ngrirë — asnjë lojtar nuk e mori fjalën pas ndeshjes për të shprehur reagime apo për të ngushëlluar skuadrën, një situatë që gazetari i njohur spanjoll José Luis Sánchez e përshkroi si “në një funeral”, përcjell “Gazeta Express”.
Në këtë heshtje, i vetmi që foli ishte trajneri i ri, Álvaro Arbeloa.
Ai u përpoq ta ngushëllonte skuadrën dhe ta rikthejë motivimin, duke thënë se duhet të punojnë së bashku, të mos e ulin kokën dhe ta vazhdojnë luftën, ndërsa e mori përgjegjësinë kryesore për rezultatin e dobët.
Ky moment i heshtjes kolektive ka ringjallur debatet për moralin e lojtarëve dhe lidershipin brenda ekipit, pas një serie ndeshjesh zhgënjyese — përfshirë edhe finalen e humbur të Superkupës së Spanjës ditë më parë.
Real Madridi tani kthehet në La Liga me synimin për ta rimarrë ritmin e mirë, ndërsa prova e parë do të jetë sfida kundër Levante në kampionat — një ndeshje që mund të tregojë nëse skuadra e ka kapërcyer tronditjen e fundit. /Gazeta Express








