Koronavirusi është bërë shqetësim për të gjithë njerëzimin. Ky virusi që po përhapet më të madhe, e ka prekur edhe sportin. Tashmë kanë nisur që anulohen aktivitete të shumta sportive, ndërkohë që shumë ndeshje po luhen edhe pa tifozë në mënyrë që të infektohen sa më pak njerëz.
Gjithsesi, Kosova ende nuk është prekur nga ky virus për dallim nga të gjitha vendet e rejonit.
Megjithatë, sporti kosovar ka përjetuar edhe më parë situata edhe më të rënda se sa koronavirusi.
Kështu ka vlerësuar Remzi Ejupi, një ndër investitorët më të fuqishëm të futbollit kosovar, njëkohësisht edhe një nga më jetëgjatët.
“Sporti i Kosovës e në veçanti futbolli është mësuar me “koronaviruse”. Të tilla “viruse” e vuajtje kishte edhe në vitet e 90-ta kur ishim të izoluar dhe luanim fshehurazi për shkak të pushtuesit serb që na mohonte edhe aktivitetet sportive. Me fenomene të tilla dhe me izolim total jemi përballur edhe në vitet e pasluftës kur deri në vitin 2016 na është pamundësuar që të garojmë në arenën ndërkombëtare, të jemi të barabartë me të tjerët”, ka thënë Ejupi për Zëri.info.
Tutje, Remzi Ejupi që është president i klubit të futbollit FC Prishtina vlerëson nëse vjen koronavirusi në Kosovë, sportistët kosovarët do ta përballojnë më lehtë se të tjerët.
“Ne jemi mësuar që të luajmë pa tifozë që nga koha e represionit serb. Jemi mësuar më vuajtje dhe mendojë se do ta kalojmë më lehtë këtë epidemi se sa vendet e tjera, gjithmonë nëse na shfaqet”, potencoi ai.
Efektet e virusit tashmë kanë filluar që të ndjehen edhe në vendin tonë.
Nga 13 deri më 16 mars, në Prishtinë ishte paraparë të organizohet turneu në basketboll për Zhvillimin e Gjeneratave të Reja (YDF) të FIBA Evropës.
Por, ky turne është shtyrë, për shkak të frikës nga koronavirusi, që është paraqitur në shumë shtete evropiane, duke përfshirë edhe fqinjët e Kosovës, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë.
Në këtë turne pjesëmarrjen përveç ekipeve të Kosovës e kishin konfirmuar edhe Maqedonia Veriore, Turqia, Rumania dhe Bullgaria, me dy ekipe, një në konkurrencën e meshkujve dhe një në atë të femrave për kategorinë U15.
Por, turneu është shtyrë me kërkesën e shteteve pjesëmarrëse dhe me pajtim të FIBA Evropë.
Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka deklaruar për Gazeta Express dje se Kosova nuk duhet që ta neglizhojë koronavirusin.
“Nuk ka ndonjë shqetësim. Nuk ka ndonjë indice se ka rrezikshmëri në Kosovë, por ne sigurisht se gjatë javës së ardhshme do të marrim rekomandime nga MKRS-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, se a është e nevojshme të merret ndonjë vendim të pezullohen ndeshjet apo edhe të luhen pa shikues. Ky virus që është përhapur në tërë botën, nuk duhet të neglizhohen edhe nga ne. Vlerësimin e bëjnë të dyja ministritë”, ka thënë Salihu.








