Raportet e inteligjencës amerikane kanë ngritur dyshime nëse presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, do të bashkëpunojë me administratën Trump duke ndërprerë zyrtarisht lidhjet me kundërshtarët e SHBA-së, thanë ditët e fundit katër persona të njohur me raportet, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar publikisht se duan që presidentja e përkohshme t'i shkëpusë marrëdhëniet me aleatë të ngushtë ndërkombëtarë si Irani, Kina dhe Rusia, përfshirë dëbimin e diplomatëve dhe këshilltarëve të tyre nga Venezuela.
Por Rodriguez, ceremonia e betimit të së cilës u ndoq nga përfaqësues të këtyre vendeve në fillim të këtij muaji, ende nuk e ka shpallur publikisht një hap të tillë. Ajo u bë presidente pasi SHBA-ja kapi ish-presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, më 3 janar. Sipas burimeve, të cilët refuzuan të identifikohen me emër, raportet e inteligjencës amerikane thonë se nuk është e qartë nëse ajo është plotësisht e rreshtuar me strategjinë amerikane në vendin e saj.
Drejtori i CIA, John Ratcliffe, udhëtoi më 15 janar në Karakas, ku diskutoi të ardhmen politike të vendit me Rodriguez. Reuters nuk arriti të përcaktojë nëse këto biseda ndryshuan opinionin e agjencive të inteligjencës.
Washingtoni synon ta frenojë ndikimin e kundërshtarëve të tij në hemisferën perëndimore, përfshirë në Venezuelë, ku Trump kërkon të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës të vendit anëtar të OPEC-ut. Nëse Rodriguez do t'i ndërpriste lidhjet me rivalët e SHBA-së, kjo do të hapte më shumë mundësi për investime amerikane në sektorin energjetik të Venezuelës. Por dështimi për ta kontrolluar Rodriguezin mund t'i minojë përpjekjet e Washingtonit për t'i drejtuar sundimtarët e përkohshëm të vendit nga larg dhe për ta shmangur një rol më të thellë ushtarak amerikan.
Agjencia Qendrore e Inteligjencës dhe qeveria e Venezuelës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. I pyetur për koment, një zyrtar i lartë i administratës Trump, i cili refuzoi të identifikohej, tha se presidenti amerikan Donald Trump “vazhdon të ushtrojë levë maksimale” mbi udhëheqësit e Venezuelës dhe “pret që ky bashkëpunim të vazhdojë”.
T'I BRAKTISË ALEATËT E KAHERSHËM?
CIA kishte vlerësuar më parë se zyrtarët besnikë ndaj Maduros, përfshirë Rodriguezin, ishin më të pozicionuarit për ta qeverisur vendin pas rrëzimit të tij.
Por kritikët e strategjisë së Trump për Venezuelën kanë shprehur dyshime mbi mençurinë e mbajtjes në pushtet të besnikëve të Maduros si udhëheqës të përkohshëm të vendit. Sipas dy burimeve, shqetësimet për besueshmërinë e Rodriguezit ishin të pranishme para operacionit ushtarak amerikan.
Për Venezuelën, direktiva amerikane nënkupton braktisjen e aleatëve të saj më të afërt jashtë rajonit. Irani e ka ndihmuar Venezuelën t'i riparojë rafineritë e naftës, ndërsa Kina ka marrë naftë si shlyerje të borxhit. Rusia e ka furnizuar ushtrinë venezueliane me armatim, përfshirë raketa.
Trump ka përmendur gjithashtu Kubën e udhëhequr nga komunistët si një tjetër kundërshtar të SHBA-së që dëshiron që Venezuela ta braktisë. Havana ka ofruar mbështetje në siguri dhe inteligjencë, ndërsa ka marrë naftë venezueliane me çmim të ulët.
Që nga largimi i Maduros, Rodriguez, lidhjet e thella të së cilës me sektorin e naftës janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të vendit, ka ndërmarrë hapa për të qëndruar në favor të Washingtonit, përfshirë lirimin e të burgosurve politikë dhe autorizimin e shitjes së 30 deri në 50 milionë fuçi naftë Shteteve të Bashkuara.
Në një fjalim të dielën, Rodriguez tha se ka pasur “mjaft” nga ndërhyrja e SHBA-së. Megjithatë, sipas dy prej burimeve, zyrtarë amerikanë kanë zhvilluar gjithashtu telefonata pozitive me të ditët e fundit. Administrata Trump nuk sheh një alternativë të menjëhershme ndaj bashkëpunimit me Rodriguezin, duke pasur parasysh se e ka mbështetur publikisht atë kaq fuqishëm, thanë dy prej burimeve.
Por zyrtarët amerikanë po zhvillojnë kontakte me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë, në rast se vendosin të ndryshojnë qasjen e tyre, tha një burim i informuar mbi politikën për Venezuelën.
MACHADO SHIHET SI OPSION AFATGJATË PËR DREJTIMIN E VENEZUELËS
Raportet e fundit të inteligjencës kanë konstatuar gjithashtu se udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, aktualisht nuk është në gjendje ta drejtojë me sukses vendin, pjesërisht sepse i mungojnë lidhje të forta me shërbimet e sigurisë ose sektorin e naftës të vendit, thanë burimet.
Disa vëzhgues dhe lëvizja e Machados thonë se ajo i fitoi zgjedhjet e vitit 2024 me një diferencë të madhe, megjithëse shteti mbështeti një fitore të Maduros. Ajo mbetet popullore mes venezuelianëve.
Trump u tha gazetarëve javën e kaluar se dëshironte që Machado të ishte “e përfshirë” në udhëheqjen e vendit, pa dhënë detaje. Një person i njohur me diskutimet e administratës me Machadon tha se ajo është e pëlqyer nga Shtëpia e Bardhë dhe konsiderohet si një opsion afatgjatë për një pozicion drejtues në Venezuelë.
Burimi tjetër i informuar mbi politikën për Venezuelën sugjeroi se, për momentin, Machado mund të merret në konsideratë për një rol këshillimor, por se nuk ishte marrë asnjë vendim përfundimtar. Përfaqësuesit e Machados nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.








