Ngjashëm me vendet e tjera të rajonit, Kosova gjithashtu ka një perspektivë evropiane. Sipas raportit të progresit Kosova ka ende punë për të bërë në procesin integrues si në aspektin e sundimit të ligjit ashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Si një ndër mundësitë e vetme për zhvillim ekonomik në Kosovë janë konsideruar investimet e huaja, mirëpo sipas raportit të fundit këto investime kanë rënie për 16% në krahasim me vitin e kaluar.
Kosova po ashtu ka shënuar vonesa e ngecje në fushën e sundimit të ligjit e cila e dëmton Kosovën karshi BE-së duke mos treguar se Kosova është serioze në integrimin e saj në BE dhe gjithashtu ka humbur mundësinë të përmirësojë imazhin e saj karshi investitorëve të huaj si dhe krijimin e parakushteve për të ndërkombëtarizuar ndërmarrësinë ndërkombëtare dhe forcimit të sektorit privat në Kosovë.
Duke marrë për bazë ngjarjet e fundit me dy brende të huaja në Kosovë, Monego dhe Iute credit , të cilat pas më shumë se një vit operimi iu është revokuar licenca e operimit, kjo mund të jetë edhe një tregues i fundit në ngecjen e shtetit të Kosovës në menaxhimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Ligji për investime të huaja në Kosovë ka për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës, dhe këtyre investitorëve duhet t’u jepet garanci themelore që u japin siguri që investimet e tyre të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare.
Mirëpo sipas përfaqësuesve të këtyre dy kompanive të lartcekura kjo nuk është zbatuar në rastin e tyre. Mënyra e revokimit të licencës konsiderohet të jetë e jashtëligjshme, dhe në këtë mënyrë Kosova ka dhënë një shembull jo të mirë të trajtimit të investitorëve të huaj.
Sipas njohësve të ekonomisë kjo mund të shkaktojë pasiguri te investitorët e huaj potencial, duke e paraqitur Kosovën si një vend jo të sigurte për investime dhe në të njëjtën kohë ku ligjet edhe pse janë në përputhshmëri me ato të BE-së, ka probleme në zbatimin e tyre në terren duke qenë se edhe rekomandimet nga raporti i progresit janë që duke përforcuar shërbimet pas kujdesit për investitorët e huaj dhe duke funksionalizuar këshillin e nivelit të lartë për promovimin e investimeve të huaja, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt rritjes së perspektivave për investime dhe eksporte.








