Shpërthimi i pandemisë në vendin tonë penalizoi shumë shërbime publike si arsimi, transporti, apo bizneset e ndryshme, mes syresh edhe club-et e natës, si vende me potencial për grumbullimin e një numri të madh njerëzish, duke lënë praktikisht "pa punë" artistët e ndryshëm të live-t. Kjo i solli humbje të madhe ekonomike jo vetëm këtyre bizneseve, por dhe artistëve që performancat apo koncertet i kanë burimin kryesor të të ardhurave.
Në lidhje me këtë problem, por edhe me faktin se artistët gjatë kohës së karantinës nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, ka folur dje Stefi Prifti. Këngëtari ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të qeverisë, duke theksuar që nuk është ndihmuar aspak nga shteti dhe nuk ka marrë as edhe një pagë lufte.
Me anë të një statusi në “Facebook”, këngëtari i njohur thotë se artistët e vetëpunësuar kanë tashmë 3 muaj e gjysëm pa punë dhe kanë qenë të përjashtuar tërësisht nga çdo lloj pakete qeveritare.








