Entuziazmi rreth ndikimit të Granit Xhakës te Sunderland nuk po ndalet. Pas vlerësimeve nga Sky Sports, që e quajti “blerjen më të mirë të sezonit”, dhe lavdërimeve nga Jamie Carragher, tashmë edhe legjenda angleze Wayne Rooney ka dhënë opinionin e tij të fortë.
Legjenda e futbollit anglez deklaroi se Xhaka është “ndoshta transferimi më i mirë i Premierligës këtë sezon”.
Mesfushori 33-vjeçar, i cili u transferua këtë verë nga Leverkusen tek Sunderland – skuadër e sapo-promovuar në Premierligë – ka surprizuar shumë skeptikë.
Rooney pranoi se fillimisht kishte dyshime:
“Në fillim gjithmonë pyet veten nëse një lëvizje e tillë te një klub i sapo-promovuar ishte e duhura.
Pasi kishte kthyer kundër vetes tifozët e Arsenalit, fakti që fitoi sërish vendin në ekip tregoi forcën e tij të karakterit.”
Ai shtoi se suksesi i Xhakës me Leverkusen, ku fitoi kampionatin, ishte dëshmi e qartë e nivelit të tij, shkruan Gazeta Express.
Këtë sezon, futbollisti nga Baseli i ka hequr të gjitha dyshimet me paraqitje mbresëlënëse.
Rooney theksoi edhe rolin udhëheqës të Xhakës brenda grupit:
“Në një skuadër të re si Sunderland, Granit Xhaka vepron si vëllai i madh.
Ai është një ndihmë e çmuar për trajnerin Regis Le Bris, duke shërbyer si ndërmjetës mes trajnerit dhe dhomës së zhveshjes.”
Me këtë formë dhe ndikim të jashtëzakonshëm, Xhaka po shihet jo vetëm si lider i Sunderland, por edhe si një nga figurat më të rëndësishme të gjithë Premierligës këtë sezon.
/GazetaExpress/








