Meqenëse nuk u publikua teksti i dakordimit të mbrëmshëm në Bruksel, është e vështirë të bëjmë analizë rreth kualitetit të saj, rreth shkallës së ruajtjes së interesit shtetëror të Republikës së Kosovës në të, dhe madhësisë së “dëmit” nga kompromisi i paevitueshëm që është bërë dje.
Shkruan: Meliza Haradinaj-Stublla
Në çdo mosmarrëveshje, palët ulën me qëndrime maksimaliste fillimisht, dhe përfundojnë me kompromise e fitore për të dyja palët. Zotësia negociuese e palëve qëndron në atë se sa bindshëm i argumenton kërkesat dhe çështjet e saj të panegociueshme, dhe sa me dinakëri din t’i përvjedhë kërkesat e saj me gjuhë ambiguoze dhe nënkuptim mes rreshtave në fjalitë e marrëveshjeve. Pra kjo është e keqja e negociimit, sepse nuk ka vetëm fitore! Në këtë frymë do të duhej të bëhej edhe analiza jonë, çka humbi e çka fitoi Kosova me këtë marrëveshje…
Fillimisht, dua t’i listoj FITORET:
- Serbia defakto (dhe dejure nëse ka nënshkruar dokumentin) hoqi dorë nga pretendimi për sovranitet administrativ në veri të Kosovës, duke u pajtuar që të mos emetojë më targa ilegale me emërtim të qyteteve të Republikës së Kosovës.
- Zotimi eksplicit i Serbisë veçanërisht, që ka pranuar të fillojnë urgjentisht diskutimet për planin franko-gjerman (evropian), është fitore e madhe e Qeverisë së Kosovës. Mos të harrojmë që Ministri i Jashtëm Daqiq vetëm para disa ditësh deklaroi se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë andaj kjo duhet të konsiderohet triumf i Kosovës!
HUMBJET:
- Heqja e tërësishme dorë nga vendimi i Qeverisë për sekuencim, i bën përsëri hisedarë e akterë kyç kriminelët që udhëheqin nga prapavija Listën serbe dhe kërcënojnë qytetarët normal serb.
- Mundësimi që targat e Millosheviqit të jenë jetëgjatë jo vetëm deri në skadim, por edhe pas skadimit derisa të zgjasë dialogu me Serbinë ndoshta edhe përtej kësaj qeverie (ndërsa Amerika i kërkoi saktë 10 muaj). Nëse nuk ka marrëveshje në mars 2023, Serbia do të bazohet në këtë marrëveshje që ska afat për të zgjatur jetën këtyre targave ilegale pafundësisht.
- Në deklaratën e Borrellit, për herë të parë janë saktësuar stacionet e radhës të Kosovës dhe Serbisë në rrugën eurointegruese, duke përmendur Grupin e Veçantë për Normalizim brenda MSA-së për Kosovën, dhe Kapitullin 35 për Serbinë. Kjo nënkupton se pas një marrëveshjeje potencialisht finale, Kosova do të bëhet shtet kandidat i BE-së ndërsa Serbia do të bëhet anëtare e plotë e BE-së - dhe kështu të vazhdojë t’a bllokojë e kushtëzojë pastaj Kosovën në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE.
- Qeveria ia humbi Kosovës edhe gjysmë milioni euro – aq sa thuhet se do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve të reja lokale në komunat veriore të Kosovës – ku padyshim se sërish do fitojnë kryetarët e Vuçiqit nga Lista serbe!
PAQARTËSITË:
- Kërcënimi i hapur i BE-së se do t’i jap fund procesit të lehtësimit të dialogut nësë palët vazhdojnë obstruksionet, ndonëse nuk saktësohet se si do të marr fund ky proces kur dihet se i tëri fillloi nga një Rezolutë e OKB-së nr 64/298 (2010).
- Afati mars 2023 nuk figuron askund (që ishte shqetësimi kryesor i KM Kurti me datën 21 nëntor shprehur në konferencë për shtyp pas Mbledhjes së Qeverisë) dhe zëvendësimi i këtij afati me fjalën “urgjencë” e lë sërish të hapur mundësinë e zvarritjes, kushtëzimit të pafundëm, dhe bllokimit të marrëveshjes finale nga ana e Serbisë.
- Mungesa e rolit të shtuar amerikan – për të adresuar shqetësimin kryesor për anshmërinë dhe paaftësinë e BE-së për ndërmjetësim të shprehur nga Presidentja, Kryeministri, opozita, e populli në përgjithësi ditëve të fundit, nuk u zëvendësua me asnjë zotim nga administrata amerikane për të fuqizuar rolin e tyre vendimtar në dialog me Serbinë. Është dështim i Qeverisë dhe pazotësi e saj për të argumentuar se roli amerikan është vendimtar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, e jo vetëm në zgjidhjen e krizave momentale si kjo e targave. Kësisoji, Kosova do të vazhdojë të sillet poshtë e lartë në tavolinat e Brukselit, dhe të ketë vëmendjen amerikane vetëm në kohëra krizash siç ishte kjo me targat.
- Me ardhjen e kryetarëve të ri të komunave veriore pas zgjedhjeve, do të shpallen edhe konkurset e reja për të zëvendësuar serbët qe dhanë dorëheqje nga institucionet vitale, dhe ku padyshim se do të kthehen po të njejtit serb që u dekoruan nga Vuçiqi dhe nënshkruan kontrata të reja pune me qeverinë e Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk do të mund t’ua mohojë aplikimin të njejtëve serbë që dhanë dorëheqje, dhe nëse tenton ta bëjë një gjë të tillë, do të prodhojë një krizë të re!
- Dëmi që ka shkaktuar kriza për targat në veri në agjendën 12 vjeçare të liberalizimit të vizave, do të jetë potencialisht poaq i pariparueshëm sa ishte dëmi i shkaktuar me vonesat e ratifikimit të demarkacionit (të korrigjuar).
MUNDËSITË E HUMBURA:
- Heqja dorë nga afati eksplicit mars 2023 siç ishte propozuar nga ndërmjetësuesi para datës 21 nëntor (sipas deklaratës së KM Kurti).
- Heqja dorë edhe nga qortimi përmes së cilit do të mund të kontrollohej qarkullimi dhe vazhdimi potencial i emetimit të targave ilegale nga Serbia pas datës 23 nëntor 2022.
- Moskushtëzimi i anulimit të vendimit për sekuencim me një zotim të nënshkruar nga Serbia se Beogradi nuk do t’a pengojë më bashkëpunimin e plotë e të pakushtëzuar të kryetarit të ardhshëm të komunës së Mitrovicës Veriore me Qeverinë e Kosovës për të mundësuar hapjen e tërësishme për qarkullim të përgjithshëm të Urës së Ibrit, sipas marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë.
REKOMANDIMET:
- Qeveria të mirëmbajë me prioritet të lartë bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Sigurisë Nacionale të Shtëpise së Bardhë (përmes Ambasadorit të Kosovës në SHBA apo përmes Ministres së Jashtme) rreth strategjisë dhe qëllimeve të Kosovës në marrëveshje finale.
- Qeveria urgjentisht të zgjerojë, përmirësojë, e të pasurojë ekipin e zvKM Bislimi me ekspertë të rinj. Ambasada Amerikane përmes USAID pati përkrahur Zyrën e Kryeministrit në vitin 2018-2019 me ekspertë ligjor, të rinj të shkolluar në SHBA përmes programit TLP, të cilët kanë bërë një punë fantastike gjatë asaj kohe. Jam e bindur se Ambasada Amerikane do t’ia ofrojë po të njejtën mbështetje (mos më të madhe) tani edhe Qeverisë Kurti nëse e kërkojnë.
- Qeveria urgjentisht të përfshijë ish-Kryenegociatorët e Kosovës në ekipin këshillëdhënës të Republikës së Kosovës (Edita Tahirin veçanërisht, por edhe Avni Arifin e Skender Hysenin) natyrisht nën betimin për konfidencialitet të plotë të procesit dhe strategjisë.
- Qeveria të mbajë takime të rregullta javore me krerët e partive opozitare, dhe të koordinohet për strategjinë e qëllimet e RKS në përballjen finale me Serbinë, mundësisht me një ekip uniteti si në kohën e Rambujesë.
Vetëm UNITETI na shpëton nga kompromiset e dhimbshme që mund të burojnë nga marrëveshjet e dëmshme të së kaluarës (Asociacioni me kompetenca ekzekutive), dhe nga paqartësitë që dominojnë gjykimin e sotëm mbi marrëveshjen e 23 nëntorit.








