Manchester United ka filluar të formësojë të ardhmen e saj me konfirmimin e tre largimeve të para zyrtare në fund të këtij sezoni.
Përmes një deklarate në faqen zyrtare të klubit, të publikuar këtë të diel, është bërë e ditur se Victor Lindelöf, Jonny Evans dhe Christian Eriksen nuk do të jenë më pjesë e skuadrës pas përfundimit të kontratave të tyre përkatëse.
Njoftimi erdhi menjëherë pas ndeshjes së fundit të sezonit në “Old Trafford”, ku “Djajtë e Kuq” fituan 2-0 ndaj Aston Villa-s, në një pasdite të shënuar nga lamtumirat. Lindelöf, i cili u transferua te United në vitin 2017 nga Benfica, largohet pas tetë sezonesh dhe 284 ndeshjesh zyrtare. Mbrojtësi suedez, një titullar i rregullt në prapavijën e ekipit dhe kapiten aktual i kombëtares së tij, e nisi ndeshjen si titullar dhe u përshëndet me një ovacion të madh nga tifozët në lamtumirën e tij.
Ndërkohë, Jonny Evans përfundon aventurën e tij të dytë me klubin që e rriti si futbollist. Pas rikthimit në vitin 2023, qendërmbrojtësi nga Irlanda e Veriut rigjeti ndjesinë e të qenit i rëndësishëm dhe e mbylli karrierën e tij si “Djall i Kuq” me 241 paraqitje, duke shtuar edhe një FA Cup tjetër në listën e gjatë të arritjeve të tij.
Sa i përket Christian Eriksen, qëndrimi i tij te United lë pas një trashëgimi talenti dhe lidershipi në mesfushë. Mesfushori danez, i cili këtë sezon u përball me disa probleme fizike, u përshëndet në mënyrë të denjë duke realizuar golin e fundit të sezonit nga pika e penalltisë.








