Islam Spahiu
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Serbia ka qenë gjithnjë e më shumë e izoluar nga Perëndimi. Por presidenti serb këtë herë, përmes diplomacisë ekonomike, u bë një lojtar global në nivel biznesi në marrëdhëniet gjeopolitike që në këtë moment janë në garë për kapjen e metalit të litiumit, tani i cilësuar si "ari i bardhë" litiumit.
Nga këndvështrimi gjerman, uria e industrisë gjermane e automobilave për litium është ajo që e shtyri kancelarin Olaf Scholz, së bashku me Zëvendës Presidentin Sllovak të Komisionit të BE-së, Maros Sefcovic, të bëjnë një vizitë të shkurtër në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për importet të litiumit.
Brukseli dhe Berlini shpresojnë se kështu do të zvogëlojë varësinë e industrisë nga Kina, e cila kontrollon 60% të minierave të përpunimit të litiumit në botë. Thuhet se edhe vizita e fundit e presidentit Xi Jinping në Beograd në maj ishte e lidhur me interesin për metalin litium.
Në një raport për dhënat e marra nga S&P Global mbi projektet e minierave në të gjithë Evropën, harta e shtrirjes në Balkan të metalit të litiumit, e publikuar në Financial Times, tregon se rezervat më të mëdha janë në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik, duke përfshirë Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe pjesën perëndimore të Bullgarisë.
Vizita e kancelarit në Beograd i ngjante një vizitë të fshehtë, si në filmat e Hollivudit. Mediat gjermane shkruajnë se atë ditë në Beograd, mes Scholz dhe Vuçiq ka pasur harmoni. Scholz fluturoi natën për në Beograd direkt nga samiti evropian në Angli. Në kryeqytetin serb, pak para mesnatës, presidenti Aleksander Vuçiq, e priti kancelarin gjerman Scholz. Dy avionë luftarakë serbë e shoqëruan avionin e kancelarit në hapësirën ajrore serbe – gjest ky i pazakontë protokolar për një mysafir, vizita e të cilit ka pritshmëri të mëdha. Megjithatë, Angela Merkel ishte edhe më e privilegjuar në udhëtimin e saj të fundit në Serbi. Jo dy, por shtatë MiG shoqëruan avionët e tyre Luftwaffe.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në Beograd nuk mungoi as ambasadori amerikan Kris Hill.
Ky memorandum mundëson nxjerrjen dhe përpunimin e litiumit, metalit të lehtë që gjendet nën tokë në Luginën e Jadarit në Serbinë perëndimore, ku ndodhen depozitat më të mëdha të litiumit në Evropë, me vlerë miliarda euro, për prodhimin e baterive, kryesisht për makinat elektrike.
Politikisht, Scholz e paketoi këtë vizitë në Beograd me idenë dhe shpresën për të dhënë një kontribut për lidhjen edhe më të ngushtë të Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe pengimin e Kinës që të depërtojë në këtë zonë me interesa madhore ekonomike evropiane.
Në të vërtetë historia e interesit gjerman për litiumin serb daton që nga koha e Merkelit.
Në shtator 2021, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një deklaratë në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku e bëri të qartë se Gjermania është gjithashtu e interesuar për litiumin serb: “Nëse e gjithë bota është e interesuar, ne jemi të interesuar edhe ne".
Paqja në Ballkan dhe interesi i koncerneve të mëdha
Ashtu, si koncerni i naftës «Standard Oil» i John D. Rockefeller që dominoi industrinë e naftës në shekullin e 19-të dhe konkurrentët e tij u shembën, epoka e ardhshme e baterive nga litiumi do të ketë fituesit dhe humbësit e saj. Carlos Tavares, president i Stellantis, prodhuesit të katërt më të madh i automjeteve në botë, i cili ishte së bashku me Schollz në Beograd, shpreh imperativin e frikës nga e ardhmja që ka kapluar koncernet dhe të fuqishmit :"Në një botë darviniane, nëse nuk ndryshojmë, ne do të zhdukemi,"
Pra, tani më nuk mund të flitet vetëm për interesa dhe sigurinë e shteteve të rajonit, por edhe për interesa të koncerneve të autoindustrisë dhe korporatave të xeheve që mbajnë gjallë ekonominë e vendeve më të fuqishme dhe krijojnë siguri për elitat politike perëndimore që aktualisht ka të bëjë edhe me rrjedhën e projektit të litiumit.
Qysh tani, sipas një raporti në gazetës Le Monde, koncerni Rio Tinto thuhet se ka vendosur kontakte me BMW, VW dhe Daimler. Përfshirja e koncerneve të nivelit më të lartë ndërkombëtar tregon se edhe paqja dhe siguria do të duhet të jetë në sherbim të interesave të këtyre firmave që qarkullojnë miliarda. Prandaj, në sfond të valleve diplomatike për çështjet politike, agjendën evropiane, nuk munden aspak të anashkalohet edhe fuqia e marrëveshjeve të bizneseve, si ajo litiumit. Ky projekt ka edhe mbështetje amerikane, që konfirmohet edhe deklaratat e politikanëve të ndryshëm të opozitës në Serbi, të cilët kanë dëshmuar se Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, u kërkoi atyre të përmbahen nga "sulmet ndaj qeverisë serbe" që kanë të bëjnë me Korporatën ndërkombëtare britanike, australiane, amerikane Rio Tinto, e cila është fituese e tenderit për nxjerrjen e litiumit në Serbi.
Rio Tinto planifikon të investojë 2.5 miliardë dollarë dhe të krijojë 1300 vende pune. Është vlerësuar se deri në vitin 2028 mund të prodhohen 58,000 tonë litium në vit. Kjo do të thotë plotësimi i nevojave të 1.1 milionë automjeteve elektrike, që është rreth 17 për qind e kërkesës evropiane për litium. Miniera mund të mbulojë pothuajse një të pestën e kërkesës vjetore të parashikuar të industrisë së makinave elektrike në Gjermani dhe Evropë.
Për Serbinë, ky është investimi i huaj direkt më i madh në historinë e saj. Sipas Vuçiqit, kjo nënkupton rritje të vendeve të reja të punës dhe investimeve deri në gjashtë miliardë euro. Scholz e siguroi atë se një fabrikë baterish do të ndërtohej edhe në Serbi.
Marrëdhëniet gjermano-serbe : “Së pari biznesi, pastaj morali”
Diplomacia e lëndëve të para, konkretisht, Litiumi i dha një dinamike të re marrëdhënieve aktuale gjermano-serbe, të cilat patën shpesh edhe turbulenca, siç është rasti fundit i ftohjes për shkak të rezolutës së OKB-së për masakrën e gjenocidit në Srebrenicë. Rezolutë kjo, që u iniciua dhe u promovua kryesisht nga Gjermania. Atëbotë Vuçiç filloi personalisht fushatën kundër Gjermanisë. Por, çështja e projektit të litiumit bëri që president serb të rikthen sërish reflektorët ka Gjermania, përkatësisht Evropa, duke u shpreh me krenari se ai dhe vendi tij i mbetën besnik Evropës pasi refuzuam kinezet, si konkurrent për licencën për minierën e litiumit.
Përkundër qëndrimeve kontradiktore, mospajtimeve me Perëndimin, Serbia për momentin duket interesante për Gjermaninë dhe Perëndimin, për shkak se të gjitha llojet e municioneve dhe armëve të prodhuara nga Serbia po arrijnë te mbrojtësit ukrainas, por, edhe më shumë për shkak të projektit të ardhshëm të litiumit që paraqet interes strategjik për industrinë e automobilave evropiane. Serbia, sipas Financial Times, deri me tani ka furnizuar Ukrainën me armë në vlerë prej 800 milionë euro. Vuçiq vlerësohet se po udhëheq një politikë efektive, prandaj në heshtje kursehen kritikat.
Në gjithë këtë vorbull konfliktesh interesash të fuqive të mëdha, presidenti serb shpalosi një kartë të re me fuqi joshëse kozmike, litiumi, ky “ari i bardhë”, hapi portat e politikës së jashtme serbe dhe krijoi frymën aktuale të marrëdhënieve të Gjermanisë me Serbinë bazuar në kredon “Në fillim vjen biznesi dhe më pas morali”.
Në një farë kuptimi, këtë e justifikon edhe përfaqësuesi i fraksionit opozitar të Demokristianëve (CDU/CSU), Tilman Kuban, i cili e përshëndeti nismën sepse ishte “në interes të ekonomisë gjermane” dhe kritikoi kancelarin sepse "Ballkani Perëndimor është injoruar për një kohë të gjatë". Por, sipas Kuban: “Me këtë projekt, Serbia tregon se dëshiron t'i zgjidhë problemet në Evropë, jo t'i krijojë ato.
Për Michael Harms, Drejtor Menaxhues i Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane, kjo marrëveshje nuk është e rëndësishme vetëm ekonomikisht, por edhe në planin gjeopolitik. "Ajo pengoi një rol më të fortë të Kinës," thotë Harms.
Alexander Rhotert,ekspert për ish-Jugosllavinë që nga viti 1991,i cli ishte i angazhuar në OKB, NATO, OSBE,dhe BE për 20 vjet, shtron një pyetje alarmuese: A po sakrifikohen vlerat tona perëndimore në “altarin e ktheses energjetike” në Ballkan?
Mario Holzner, ekspert për Ballkanin dhe drejtor i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka shpreh dyshimin se ekzistojnë "interesa të forta politike" në marrëveshjen e litiumit. Mbështetja, që Serbia i ka bërë Perëndimit në armatosjen e Ukrainës, i është kompensuar me faktin se Perëndimi “mbylli dy sytë ndaj sundimit të ligjit në Serbi”, çështjes së zgjedhjeve të lira dhe ndaj çështjes së Kosovës.
Paradoksalitetin e momentin aktual e ka përshkruar edhe Frankfurter Rundschau : "Ari i bardhë"në vend të demokracisë? Pra,marrëdhëniet e Berlinit me Beogradin aktualisht zhvillohen sipas motos: Së pari vjen biznesi dhe më pas morali.
Aktualisht, Litiumi do të përshkon epiqendrën e interesave të përbashkëta evropiane-serbe, ndonëse koha e turbulencave vazhdon aty ku kan mbetur para daljes në sipërfaqe të temës së litiumit si interes strategjik ekonomik të dyanshëm.








