Aktorja e njohur amerikane Kristen Bell është vënë në qendër të kritikave pas një postimi të papritur në rrjetet sociale, me rastin e 12-vjetorit të martesës me bashkëshortin e saj, aktorin Dax Shepard.
Në vend që të përcillte një mesazh romantik, dedikimi i saj ka shkaktuar një valë reagimesh të ashpra, duke e kthyer një moment privat në një debat publik mbi ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e figurave publike.
Postimi që ndezi polemika
Kristen publikoi në Instagram një foto të çiftit duke u përqafuar, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte përshkrimi që e shoqëronte imazhin:
“Gëzuar 12-vjetorin e martesës burrit që dikur më tha: ‘Nuk do të të vrisja kurrë. Shumë burra i kanë vrarë gratë e tyre në një moment të caktuar. Edhe pse kam shumë arsye për të të vrarë, nuk do ta bëja kurrë.’”
Ky citim, që për çiftin mund të ketë qenë një batutë me humor të errët, u lexua krejt ndryshe nga ndjekësit, të cilët e konsideruan të papërshtatshëm dhe ofendues, sidomos për faktin se tetori është muaji i ndërgjegjësimit për dhunën në familje në SHBA.
Reagimet: “Kjo s’është shaka”
Për pak orë, seksioni i komenteve në postimin e aktores u mbush me qindra reagime të zemëruara.
Shumë përdorues e akuzuan Bell për mungesë ndjeshmërie ndaj viktimave të dhunës bashkëshortore, një fenomen që në Shtetet e Bashkuara u merr jetën çdo vit qindra grave.
“Të lutem, rimendoje postimin, duke marrë parasysh muajin për ndërgjegjësimin e dhunës në familje,” shkroi një komentues.
Një tjetër shtoi: “Kjo është diçka e trishtë dhe mizore për t’u thënë, duke ditur që mijëra gra janë vrarë nga partnerët e tyre.”
Të tjerë theksuan se “dhuna në familje nuk është asnjëherë shaka”, duke apeluar për më shumë kujdes nga figurat publike që ndikojnë miliona ndjekës.
Reagimi i Kristen Bell
Derisa debati vijon të shpërndahet në rrjete, Kristen Bell ende nuk ka reaguar publikisht për polemikat.
Megjithatë, ajo ka vendosur kufizime për komentet në postimin e saj në Instagram – një hap që shumë e panë si përpjekje për të ndalur valën e kritikave.
Ndërkohë, në mediat amerikane, ky episod po trajtohet si një shembull i ndjeshmërisë që mungon në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo fjalë mund të keqkuptohet – ose të dëmtojë rëndë imazhin e personazheve publikë.
Një kujtesë e dhimbshme në një muaj simbolik
Polemika rreth postimit të Bell vjen në një periudhë kur organizatat në mbarë botën po zhvillojnë fushata ndërgjegjësimi për parandalimin e dhunës në familje.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse humori është pjesë e çdo marrëdhënieje, çdo formë “shakaje” që lidhet me dhunën duhet trajtuar me shumë kujdes, sidomos nga ata që kanë ndikim publik.
Kristen Bell dhe Dax Shepard, të njohur për marrëdhënien e tyre të sinqertë dhe shpesh të hapur për mediat, ndodhen kësaj here në qendër të vëmendjes për arsye të gabuara – dhe interneti, si gjithmonë, nuk fal. /GazetaExpress/








