Kuvendi Komunal i Prishtinës sot ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme për të mos lejuar ndërtimet në Liqenin e Badovcit. Në seancë u aprovuan dy rekomandime. Rekomandimi i parë është që Komuna e Prishtinës të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në fund të vitit të kaluar. Ndërkaq rekomandimi i dytë që të fillohen proceduarat që zonën për rreth Liqenit të Badovcit, e cila nuk është e përfirë në peisazh të mbrojtur, të bashkohet me peizazhin e mbrojtur në parkun regjional të Germisë. Këto rekomandime u votuan nga asamblistët, megjithëse u tha se janë në kundërshtim me ligjet në fuqi
Me debate të ashpra e akuza u mbajt sot mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK’së, që e inicioi seancën e jashtëzakonshme ka treguar se vendimi i prezantuar është në harmonizim me grupet parlamentare.
“Në dakordim të plotë me të gjitha grupet në kuvend kemi marrë qëndrim që të kemi 2 rekomandime dhe një vendim. I pari është që Komuna në bazë të akteve të anulojë kushtet mjedisore të lëshuara. I dyti është që të fillojnë procedurat rreth liqenit të Badovcit që nuk është i mbrojtur, të bashkohet me Parkun e Gërmisë. Propozimi për vendim – Kuvendi Komunal i Prishtinës të marrë vendim që të pezullohet plani zhvillimor komunal, për mbrojtjen në pjesën e Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja”, tha ai.
Këto dy rekomandime u votuan me 27 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim.
Megjithatë, deri në votimin e këtyre dy rekomandimeve kishte debate të ashpra në mes të asamblistëve të Vetëvendosjes dhe kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Egzon Azemi nga VV’ja i tha Ahmetit se nuk ka guxuar t’u dalë para qytetarëve kur e kanë ftuar në diskutim publik për Badovcin.
“Të kanë ftuar qytetarët në diskutim publik me ministrin, ai ka guxuar ti nuk ke guxuar. Këtu zotëri kryetar e akuzon zotërinë ministër, ju do të bëheni objekt i padive”, i tha Azemi Ahmetit.
Ndërkaq Ahmeti u përgjigj se këto janë kërcënime të cilave nuk iu frikësohet.
“Je mësu me kërcënu, po mendon që tutna me kallëzimet tua penale. Unë si kryetar komune po i ftoj të gjithë asamblistët në mënyrë ligjore t’i ndalim ndërtime rreth Badovcit. Nuk e akuzova askënd e aq më pak Ministrinë”, tha Ahmeti.
Tutje Ahmeti tha se nuk i takon Komunës së Prishtinës t’i mbrojë resurset ujore, por Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
“Me ligj është e definuar se mbrojtja e resurseve ujore bëhet nga ministria. Në dy nene më vonë shkruan se kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është përgjegjëse ta mbrojë zonën 1 dhe 2 të Badovcit. Tjetër është nëse nuk i besoni ministrisë, po ju tregoj se ne Republikë e Komunës së Prishtinës nuk jemi. Mendja nuk po më shkon me e mbrojt ndërtimin në Badovc, nuk jam me e mbrojt kurrfarë ndërtimi apo investitori”, u shpreh Ahmeti.
Ndërkaq kritika ndaj Ahmetit kishte edhe asamblistja e LDK’së, Vlora Dumoshi, e cila tha se dikush po ka dëshirë të ndërtohet kjo lagje.
“Këtu po e shoh që këtu ka disponim me u ndërtua ajo lagje. Procedoje kryesues le të kryhet kjo çështje me vendim”, tha ajo.
Ahmeti përgjigjen e tij ndaj Dumoshit e lidhi me krijimin e qeverisë, duke i thënë asaj se kur të krijohet qeveria shpreson që ligjet të ndryshohen në Kuvend.
“Nuk është bahçe e babës tem Prishtina me vendos kush mundet me ndërtu e kush nuk mundet. Pala s’ka apliku për leje ende. Po doni për një ditë me i ndërru 20 vjet ligje. Shfrytëzoj rastin që të uroj të bëhet qeveria dhe të i ndryshoni këto ligje. Me pikën e tretë jenë në kundërshtim me vendimet e juaja të marra më herët”, tha ai.
Lidhur me rekomandimet që u propozuan, Ahmeti tha se po votohet diçka që bie ndesh me ligjin, pasi sipas tij nuk mund të ndalohet legjislacioni në fuqi.
“Nëse doni me marr vendim politik pa kurrfarë mase ligjore, të parën do ta marim parasysh, pika 2 thotë të shpallet peizazh zona rreth Badocit. Po doni me u bë ma ekspertë se krejt qe 20 vjet. Jeni t’u dashtë me marr vendim pa e ditë sa zona janë. S’mundeni me ndalu legjislacionin që është në fuqi. Ka mënyra tjera ligjore, jeni t’u bë një vendim politik por jeni t’u na lënë ne në dorë nuk mundeni me ndalua. Njerëzit kanë të drejta, kanë prona, mos bëni kësi gabime”, tha ai.
Asamblistja e PSD’së, Vala Peshku, tha se rekomandimet e bëra janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Prishtinës.
“Duhet me na ardh marre prej vetes çka po qesim në votim, nëse duam me ju qit hi qytetarëve e bëjmë por nuk jemi duke bë asgjë, kjo sot është farsë nuk është sinqeritet për Badovcin”, u shpreh ajo.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Ardian Olluri, tha se do të ishte e udhës që të bëhen ankesa në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Si drejtor i urbanizimit, kisha me qenë shumë i lumtur nëse e shoh një ankesë në ministri të Mjedisit, por nuk mundemi me e shfuqizua aktin administrativ”, tha ai.
Kujtojmë se projekti ndërtimor “Lakeside Gardens” i cili parasheh të ketë 17 shtëpi, i cili u publikua nëpër rrjetet sociale nga kompania Kaëa Group dhe 4M Group, ka ngjallur reagime të shumta në vend.
Në postimin e bërë më 8 janar, këto dy kompani kanë njoftuar se te Liqeni i Badovcit do të ndërtohet një lagje e re banimi, e kjo ka mjaftuar që të reagojnë qytetarët, por edhe institucionet.
Komuna e Prishtinës ka thënë se kompanitë në fjalë nuk kanë aplikuar për leje ndërtimi. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po ashtu ka thënë se kompanitë nuk kanë marrë pëlqimin mjedisor. Kësisoj, momentalisht çfarëdo ndërtimi është i pamundur.
Por, Komuna në dhjetor të vitit të kaluar ka lëshuar leje për kushtet ndërtimore, për pronarin e tokës ku është planifikohet të kryhen ndërtimet.
Komuna fillimisht e kishte refuzuar kërkesën e pronarit të tokës, mirëpo MMPH’ja e kishte obliguar ta lëshojë lejen për kushtet ndërtimore.
“Në shtator të vitit 2017 pala ka aplikuar për kushte ndërtimore në pronën private në afërsi të Badovcit. Në vitin 2018 Komuna ka marr Vendim Refuzues për Kushtet, për shkak të vendimit të qeverisë për zonën e mbrojtur. Pala është ankuar në shkallën e dytë në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria ka marr vendim ku e ka pranuar ankesën e palës dhe ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas vendimit”, ka njoftuar KP’ja.
E ndaj kësaj deklarate të KP’së, ka reaguar Ministria e Mjedisit.
“Në asnjë mënyrë MMPH në Vendimin e evidentuar për shqyrtimin e çështjes administrative juridike sipas të ankimuarit, nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës, të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi”, thotë MMPH’ja në reagimin e saj.
Liqeni i Badovcit është shpallur zonë e mbrojtur në mbledhjen e 24 prillit të vitit 2013 të qeverisë së atëhershme.
Kjo do të thotë se në zonat e mbrojtura me Ligj, ndalohet ndërtimi për çështje rekreacioni apo çfarëdo arsye tjetër./GazetaExpress/








